Mëngjesin e sotëm, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Qukas i Vjetër të Lushnjes. Sipas njoftimit të policisë, dy vëllezër janë konflktuar rëndë me njëri-tjetrin për motive pronësie.
Njëri prej tyre Hazis Musai, 78- vjeç, ka goditur me sëpatë vëllanë e vet, Nazif Musain, rreth 77- vjeç.
Ky i fundit më pas ka qëlluar me pistoletë vëllanë e tij.
Të dy kanë përfunduar në spital, ku sipas policisë Hazis Musai, i qëlluar me pistoletë, është në gjendje të rëndë.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje.
“Lushnje/Informacion paraprak
Rreth orës 08:00, në fshatin Qukas i Vjetër, dyshohet se për shkak të konflikteve për motive pronësie, shtetasi H. M. ka goditur me mjet prerës (sopatë), vëllanë e tij, shtetasin N. M., rreth 77 -vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur shtetasin H. M., me armë zjarri pistoletë.
Të dy të dëmtuarit janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve. Aktualisht, shtetasi H. M. është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës (sopatë), të përdorura gjatë konfliktit.
Grupi hetimor po punon për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit”.