Luftë dhe dasma: Boom martesash në Ukrainë

Duket se lufta në Ukrainë ka shtuar edhe numrin e martesave atje.

Bombat ruse dhe frika e një lufte disa mujore që nuk dihet si do të përfundojë, po e marrin dhe një mesazh sfide nga ukrainasit.

Vetëm brenda një pasditeje, 5 çifte lidhën kurorë në hollin e bashkisë. Mjaft të rinj vendas po nxitojnë të përfitojnë nga lehtësirat e procedurave si pasojë e konfliktit. Tashmë, ata mund të lidhin kurorë direkt, në vend që të regjistrohen më parë e të rikthehen duke pritur në radhë të gjata.

“Tani, mund t`i regjistrojmë njerëzit në të njëjtën ditë që ata aplikojnë, nuk ka nevojë të presin më një muaj, siç ndodhte përpara luftës. Na kanë ndihmuar shumë dhe vullnetarët të cilëve u jam mirënjohës. Martesa në kohë të tilla kaq të vështira po kthehet në një motivim të jashtëzakonshëm për çiftet e reja, të cilat sot më shumë se kurrë nuk e dinë se çfarë do t`u sjellë e nesërmja”, shprehet Vitaliy Charnykh, drejtues i ceremonisë.

“S`ka shumë që vendosëm të martohemi. Vetëm dy javë më parë na erdhi ideja; ishim duke ngrënë darkë kur i dashuri im hodhi idenë të shkojmë e të aplikojmë. Martesa është diçka shumë special për një femër, dhe gjatë luftës, një vendim i tillë merr rëndësi akoma edhe më të madhe. Nuk e imagjinoni sa e lumtur jam“, shprehet një nuse, Ganna.

Në Ukrainë, lufta praktikisht po e kthen dashurinë në martesë. Ligji ushtarak në vend përfshin një dispozitë që i lejon ukrainasit, si ushtarë ashtu edhe civilë, të aplikojnë dhe të martohen në të njëjtën ditë. Vetëm në Kiev, më shumë se 4,000 çifte e shfrytëzuan që në muajin qershor rastin për të lidhur kurorë, e numri i tyre ka njohur vetëm rritje.