Lubonja në “Le Monde”: Protestat në Shqipëri janë një lëvizje qytetare pa precedent, Europa të mbështesë shqiptarët dhe të shtyjë drejt dorëheqjes qeverinë e korruptuar

Prej afro një muaji, vendi është përfshirë nga protesta, ndërsa qytetarët shqiptarë kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Kjo valë reagimi nuk është kufizuar vetëm në një zonë, por është shtrirë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si edhe në Diasporë, ku kërkesa për dorëheqjen e Ramës është ngritur njëzëri.

Të lidhura

None found

Në një analizë për të përditshmen prestigjioze franceze “Le Monde”, Fatos Lubonja ka paraqitur një pasqyrë të gjerë të këtyre protestave, duke nënvizuar se Europa duhet ta mbështesë këtë lëvizje qytetare dhe, sipas tij, të detyrojë qeverinë e korruptuar të japë dorëheqjen.

Reagimi nga Fatos Lubonja për Le Monde

Për të kuptuar në tërësi arsyet që kanë nxitur mobilizimin kundër projektit megaloman të kompleksit turistik të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në ishullin e Sazanit dhe në lagunën e Zvërnecit, sipas Lubonjës, duhet parë më herët në historinë shqiptare.

Ai sjell në vëmendje vitet 1920, kur Zog I, ende pa u bërë mbret, ishte kryeministër në kohën kur fashizmi po merrte pushtetin në Itali. Mbështetja politike e Zogut bazohej te një milici prej 200 burrash, ndërsa ai vetë vinte nga një familje pronarësh tokash gjatë Perandorisë Osmane. Në një moment, Zogu, i vendosur në një prej fraksioneve rivale të luftës për pushtet, i kërkoi qeverisë italiane të financonte këtë milici dhe, në këmbim, ofroi hektarë pyje që zotëronte për kompaninë kombëtare hekurudhore italiane, duke premtuar se sapo të merrte pushtetin do të ndiqte politika në favor të Mbretërisë së Italisë. Sipas tij, oferta u pranua.

Në të njëjtën kohë, mes dy qeverive u nënshkruan në vitin 1923 marrëveshja tregtare dhe ajo për transportin detar. Dy vjet më pas, Zogu u bë president i Republikës, ndërkohë që kishte firmosur një pakt të fshehtë ushtarak, i pasuar në vitin 1926 nga pakti i miqësisë dhe sigurisë me Italinë. Gjatë mbretërimit të Mbretit Zog [1928-1939], Shqipëria, sipas Lubonjës, u kthye në një gjysmëkoloni italiane deri në pushtimin e saj nga Roma.

Ai e cilëson këtë episod si domethënës për mënyrën se si janë ndërtuar marrëdhëniet mes një vendi të vogël, drejtuesve të tij dhe fuqive apo perandorive të huaja. Sipas tij, historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve është përcaktuar nga dy elementë: vasaliteti dhe pozicioni periferik i vendit. Me vasalitetin, thotë ai, udhëheqësit vendas e kanë marrë legjitimitetin nga shërbimet që i kanë ofruar qendrës së perandorisë. Në kohën e Perandorisë Osmane, ky shërbim kryesor ka qenë dërgimi i ushtarëve në luftë. Nga ana tjetër, pozicioni periferik ka bërë që qendra t’u lejonte atyre të sundonin sipas zakoneve lokale, duke toleruar abuzimet dhe duke penguar reforma që herë pas here mund të kishin qenë progresive.

Sipas Lubonjës, kjo skemë u përsërit më pas me Italinë, më vonë me BRSS-në, Kinën dhe, pas rënies së komunizmit, me atë që ai e quan perandoria perëndimore. Në këtë këndvështrim, projekti i hotelit luksoz të Jared Kushner përfaqëson versionin e përditësuar të së njëjtës paradigmë dhe ndihmon për të kuptuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama. Ai argumenton se pushteti i Ramës mbështetet në menaxhimin e katër interesave: të oligarkëve, të krimit të organizuar, që sipas tij gjatë dy dekadave të fundit është kthyer në investitorin kryesor në ekonominë shqiptare, të mediave ku dy grupet e para kanë investuar shumë, si edhe të atyre që shqiptarët i quajnë “partnerët tanë strategjikë”, pra Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që për Tiranën përbëjnë perandorinë e re.

Lubonja shprehet se, i bindur që mbijetesa e tij politike varet prej tyre, kryeministri shqiptar ka investuar vazhdimisht në marrëdhënien me bashkësinë ndërkombëtare perëndimore. Ai kujton se disa muaj përpara se Trump të merrte pushtetin, ndonëse ishte shumë pranë demokratëve amerikanë, Edi Rama ndërmori lëvizje për të krijuar marrëdhënie miqësore me kandidatin republikan. Në këtë kuadër, ai thotë se Rama hipi një ditë në jahtin e Jared Kushnerit dhe i premtoi t’i jepte një pjesë të Shqipërisë, një veprim që e krahason në qëllim me ofrimin e tokës Giorgia Melonit për ngritjen e një kampi refugjatësh, njësoj si veprimi i dikurshëm i mbretit Zog që ua dha pyllin e tij italianëve.

Përjashtimi i paturp

Sipas tij, kjo nxjerrje në ankand e Shqipërisë u shërben jo vetëm interesave të dhëndrit të Trumpit, por edhe atyre të oligarkëve shqiptarë dhe të krimit të organizuar, të cilët kontrollojnë mediat më me ndikim në vend dhe të cilëve, jo rastësisht, qeveria u ka dhënë statusin e investitorëve strategjikë. Kjo, thekson ai, do të thotë se shteti u jep atyre mbështetje të fortë për ngritjen e komplekseve turistike dhe rezidenciale përgjatë bregdetit shqiptar, duke ua bërë shqiptarëve gjithnjë e më të vështirë hyrjen në det.

Pikërisht ky përjashtim i paturp, sipas Lubonjës, qëndron në themel të zemërimit qytetar. Ai thotë se revolta nuk lidhet vetëm me projektin e Jared Kushnerit, por në një kuptim më të gjerë me fatin e një Shqipërie të ndërtuar nga ky sistem kriminal, i cili jo vetëm i përjashton shqiptarët nga vendimmarrja, por u grabit përditë hapësirat publike dhe të mirat e përbashkëta, deri në atë pikë sa mungesa e perspektivës ka prodhuar dhe përforcuar emigrimin masiv. Në këtë frymë, ai shpjegon edhe sloganet më të forta të protestës: “Shqipëria nuk është në shitje”, “Bojkotoni median”, “Duam një Shqipëri të re”. Sipas tij, përmes kësaj kryengritjeje, që tashmë njihet si “revolucioni i flamingove”, për shkak të pranisë së madhe të flamingove në lagunën e Zvërnecit, populli shqiptar po refuzon të mbetet në pozitën e vasalit.

Në rastin e projektit të Kushnerit, ai vëren se objektivi i Edi Ramës për t’i shërbyer perandorisë, me synimin për të forcuar mbështetjen ndaj vetes, rezultoi në mënyrë paradoksale kundërproduktiv. Kjo, sipas Lubonjës, ndodhi sepse kryengritja shqiptare hodhi dritë të fortë jo vetëm mbi mënyrën se si trajtohet mbrojtja e mjedisit në Perëndim, por edhe mbi kontrollin e vendimmarrjes nga një pakicë shumë e vogël, si dhe mbi pasojat e politikave tejet irrituese të brendshme dhe të jashtme të Trumpit në vetë perandorinë perëndimore.

Në përfundim, ai thekson se problemi i raportit shtet vasal–perandori mbetet i hapur për shqiptarët që shpresojnë të jetojnë një ditë në një Shqipëri anëtare të BE-së, ku të mbizotërojë sundimi i ligjit, por që e kanë shumë të vështirë ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet nga institucionet evropiane. Sipas Lubonjës, angazhimi i sinqertë i shteteve perëndimore në fillim të viteve 1990 për të ndihmuar ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vende si Shqipëria është shndërruar gradualisht në politika që i shohin këto vende kryesisht si burime ekonomike dhe gjeostrategjike. Në këtë kontekst, ai vëren një prirje të fortë të udhëheqësve perëndimorë për të mbështetur në heshtje drejtues autoritarë, ose për të mbyllur sytë ndaj shpërdorimit të pushtetit prej tyre, kur këta ofrojnë zgjidhje të dobishme, si kampi për përpunimin e azilkërkuesve, apo realizojnë teka faraonike, si plani Kushner. Me “Revolucionin Flamingo”, përfundon ai, populli shqiptar dhe sidomos rinia kanë nisur një lëvizje qytetare të paprecedentë. Shpresa e tij është që evropianët të mbështesin synimet e saj: heqjen dorë nga plani Kushner, detyrimin e dorëheqjes së qeverisë së korruptuar dhe rindërtimin e demokracisë në Shqipëri.


Shtuar 28.06.2026 19:15

casibom güncel girişcasibombetparkbetpark girişGrandpashabetgrandpashabetcasibom girişMeritkingcasibomcasibomMeritkingGrandpashabetCasibomgrandpashabetcasibombetpascasibomjojobet girişKickmatbetdeneme bonusu veren sitelerJojobetMadridbetMadridbetMadridbetgrandpashabetHoliganbet girişgrandpashabetJojobetGrandpashabetgrandpashabetjojobetcasinomilyoncasinomilyonultrabetultrabetcasibom girişgrandpashabetholiganbetBetpasgrandpashabet güncel girişjojobet