Seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar ishte parashikuar të zhvillohej të enjten, më 23 korrik, ndërsa pjesë e agjendës pritej të ishte edhe paraqitja e raporteve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për Reformën Territoriale.
Megjithatë, në rendin e ditës të publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë për seancën e 23 korrikut nuk figuron raporti i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Mandati i këtij komisioni përfundoi më 15 korrik.
Të lidhura
None found
Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet paraditen e së enjtes për të shqyrtuar kalendarin e punimeve për periudhën 27-31 korrik. Në këtë takim pritet të diskutohet nëse do të thirret një seancë tjetër plenare, në rendin e ditës të së cilës, krahas ratifikimit të një marrëveshjeje në fushën e mbrojtjes, mund të përfshihet edhe raporti për Reformën Territoriale.
Nëse Konferenca e Kryetarëve vendos mbajtjen e një seance shtesë parlamentare, 27 korriku konsiderohet data më e mundshme për zhvillimin e saj.
Partia Socialiste kishte deklaruar se raporti do të paraqitej më 23 korrik. Përveç vlerësimit të reformës territoriale të vitit 2014, socialistët do të prezantojnë edhe propozimin e tyre për ndarjen e territorit në bashki.
Nga ana tjetër, të mërkurën pritet që Partia Demokratike të depozitojë në Kuvend vetëm analizën e saj për reformën territoriale të 2014-ës, pa paraqitur një propozim për hartën e re territoriale.
As raporti i PS-së dhe as ai i PD-së nuk u paraqitën në komision, ndaj nuk u hodhën as në votim.
Sipas Rregullores së Kuvendit, raporti për Reformën Territoriale duhet të shqyrtohet fillimisht në komision dhe vetëm më pas të kalojë për diskutim në seancë plenare.
Vendimmarrja e së enjtes, më 23 korrik, do të sqarojë nëse raporti për Reformën Territoriale do të shtohet në momentet e fundit në rendin e ditës apo nëse do të nevojitet një seancë tjetër parlamentare.
