“Ping-pong” akuzash dhe hedhje faji mes Gjykatës së Korçës, Prokurorisë së këtij qarku dhe Policisë, në lidhje me autorin e dyshuar të vrasjes së Egli Progës në Pogradec, 29-vjeçarin Denis Meçe.
Pas reagimit të ashpër të familjarëve të viktimës për ndryshimin e akuzës nga Prokuroria, nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”, Gjykata reagoi dhe tha se nuk është faji i saj, por i Prokurorisë që i ka referuar dosjen për ngjarjen.
Policia nga ana tjetër tha se e ka referuar ngjarjen me akuzën për “vrasje me dashje”, dhe nuk është në tagrin e saj se çfarë vendos Prokuroria.
Ndërkohë, Prokuroria ka reaguar dhe ka thënë se fajin nuk është i këtij institucioni, por… inspektorin e Patrullës së Policisë, i cili sipas saj, nuk dokumentoi saktë ngjarjen.
“Nga Prokuroria fillimisht është regjistruar procedimi për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, kjo edhe në referim të praktikës gjyqësore në raste të ngjashme, duke vlerësuar që nga materialet e referuara nga policia, goditja me grusht (siç ka rezultuar nga dëshmitë, autori i dyshuar e ka goditur vetëm një herë me grusht viktimën), nuk tregon vullnetin e viktimës për të vrarë një person, përndryshe prej tij do të ishte zgjedhur me shumë mundësi një send tjetër për të realizuar qëllimin e tij kriminal, por vetëm për ta dëmtuar atë, ndërsa vrasja me dashje kërkon qëllimin e viktimës për ta vrarë personin, duke marrë edhe sendet e nevojshme për ta realizuar qëllimin e tij.
Nga aktet e para të administruara në dosje dyshimi krijohej për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal. Sqarojmë se, në momentin që materialet e policisë përcillen në Prokurori, prokurori i vlerëson ato dhe e regjistron procedimin për veprën penale që ka dyshim në atë moment dhe vetëm mbi provat e para që janë marrë.
Nga provat që do të merren në vijim, do të bëhet edhe regjistrimi përfundimtar i veprës penale si dhe do të njoftohet akuza personave të pandehur”, thotë prokuroria që duket se heq përgjegjësinë e zbutjes së masës, përmes së cilës, nëse mbetet në fuqi, autori i shpëton dënimit me 20 vite burg.
Më tej njoftohet se inspektori që ka dokumentuar ngjarjen, është marrë nën hetim për shpërdorim detyre. Nga deklaratat, duket se një prej institucioneve po gënjen, por… e paqartë se cili dhe për cilën arsye! / Top Channel