Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij se në qershor do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për të diskutuar për dialogun e ardhshëm dhe jo për vazhdimin e dialogut të mëhershëm.
Dy liderët pritet të takohen këtë muaj në Bruksel.
“Unë kam takuar dy prej tre kryetarëve të partive opozitare. Përveç kësaj do ta kemi një diskutim në Kuvendin e Republikës lidhur me gjendjen e deritashme të procesit të së kaluarës sepse duhet të shohim ku ndodhemi sa i përket marrëveshjeve të dikurshme, zbatimit dhe ndikimit të tyre. Ndërkaq në takimin që do të zhvillohet në Bruksel, s’është takim i vazhdimit të dialogut. Është takim i parë në të cilën për herë të parë pritet përballë ta kem presidentin e Serbisë me të cilin s’jam takuar asnjëherë në jetë, nëse përjashtojmë tryezën me mbi 30 veta në shkurtin e 2020-s në Konferencën e Sigurisë që mbahet tradicionalisht në Munih të Gjermanisë. Është takim i parë dhe mund të shohim çfarë mund të jetë kapitull i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”, ka thënë Kurti./albeu.com