Kurti i kënaqur me rezultatin në zgjedhjet lokale

Albin Kurti, është shprehur i kënaqur me rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet lokale të mbajtura dje.

Vetëvendosje nuk fitoi asnjë komunë pa balotazh, ndërsa është në garë për 12 komuna.

“Si kryetar i VV-së jam i kënaqur që shoh kaq kandidat në balotazh, siç jam i kënaqur që po shoh kaq shumë asamblistë në tërë Kosovën. Do të punojmë për qytetarët, do të shohim sesi të zgjerojmë mundësitë që të shtojmë kujdesin ndaj qytetarëve. Ndryshimi i bërë realitet në rrafshin qytetar, nuk është vetëm plane, por nënkupton plane aktuale, plane që mund të realizohen. Jam i etur të bashkëpunoj me secilën komunë që vlera tona të përbashkëta të arrijnë në çdo shtëpi. Do të qëndroj pranë çdo kryetari komune që dëshiron të bëjë reforma. Urime të gjithë kandidatëve. Kjo është një festë e madhe e demokracisë. Kandidatët e Vetëvendosjes do të jenë të angazhuar në të gjithë territorin në ditët në vijim. Qysh sonte do të takohem me kandidatët e Vetëvendosjes që janë në balotazh dhe do të bëjmë planet tona se si të ecim më tej”, ka thënë Kurti.

E si kryeministër, Kurti u shpreh krenar se si u zhvilluan këto zgjedhje.

“Dje u mbajtën zgjedhjet lokale, ato ishin të lira, demokratike dhe fer, pa ndonjë incident. Të gjitha ankesat do të trajtohen nga organet përkatëse. Si kryeministër, jam fort krenar që kishim miq evropian që vëzhguan demokracinë tonë, që mund të shërbejë si vend shembull në rajon dhe jo vetëm”, përfundoi ai.


Shtuar 18.10.2021 13:59