Kur pritej debutimi një “krisje” ndodhi mes Kamberit dhe Rejas, sulmuesi fshin fotot me Kombëtaren (FOTO LAJM)

Florian Kamberi ishte një nga risitë i cili mezi pritej në kombëtaren kuqezi, ndërsa dukej thuajse i sigurt debutimi i tij në ndeshjet kualifikuese të Katar 2022. Nëse nuk u aktivizua me Andorrën, atëherë sulmuesi ishte projektuar titullar për debutimin në sfidën ndaj Anglisë. Por, disa lëvizje në momentin e fundit nga ana e trajnerit Edi Reja bënë që lojtari i Aberdin të përfundonte në stol.

Ky ndryshim nuk i ka pëlqyer aspak Kamberit, e në këtë moment duket se ka pasur një “krisje” me trajnerin Reja. Fillimisht, gjithçka u mohua se kishte një çështje Kamberi teksa u justifikua se lojtari kishte pasur një dëmtim.

Megjithatë, sulmuesi u aktivizua me ekipin e tij menjëherë pas kombëtares, ndërsa një tjetër e dhënë se marrëdhënia me kuqezinjtë është cënuar, është fakti se tashmë në profilin e Kamberit në rrjetet sociale nuk ka më foto me fanellën e kombëtares.

Një situatë e vështirë, ndërsa mbetet për t’u parë si do të procedohet në vazhdim me Kamberin, i cili padyshim do të rriste kualitetin në skuadër dhe do t’i bënte më të rrezikshëm kuqezinjtë në fazën ofensivë.


Shtuar 5.04.2021 12:17