Kosova si edhe shumë vende të tjera të botës po vazhdon të përballet me virusin COVID-19.
Edhe pse për dallim nga shtete e tjera në vendin tonë numri i të infektuarve dhe viktimave nga ky virus është më i ulët, koronavirusi vazhdon të jetë aktiv dhe shqetësues.
Tashmë kur shumë prej qytetarëve janë vaksinuar me dy doza të vaksinës antiCOVID, mundësia për vaksinimin me dozë përforcuese dhe me dozë të tretë është mjaftë pranë.
Të kontaktuar nga lajmi.net, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se vendimi për aplikimin e dozës përforcuese apo dozës së tretë të vaksinës antiCOVID në Kosovë do të merret shumë shpejt.
Madje është thënë se dozën e tretë të vaksinës e marrin personat të cilët janë të vaksinuar plotësisht me dy dozat, por tek të cilët me kalimin e kohës imunitete ka shkuar në rënie.
“Vendimi për aplikimin e dozës përforcuese dhe dozës së tretë në Kosovë do të merret shumë shpejt. Dozë perforcuese marrin personat që janë të vaksinuar plotësisht me të dy dozat, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti ka ardhur duke rënë. Kurse dozë të tretë marrin ata persona tek të cilët dy dozat fillestare nuk kanë krijuar imunitet të mjaftueshëm.”, u tha nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas MSh-së me dozë perforcuese apo edhe me dozë të tretë të vaksinës, varësisht se për cilën bëhet fjalë, vaksinohen të moshuarit, personat me imunitet të kompromentuar, profesionistët shëndetësorë, por nuk përjashtohen as kategori të tjera.
Kurse në Kosovë deri tani janë administruar dy lloje të vaksinave antiCOVID.
Vaksinat e llojit ‘Pfizer BionNTech’ si dhe ‘Astrazeneca’.
“Janë administruar 1.601.129 vaksina gjithsej. Me një dozë janë 847.689 ndërsa me dy doza janë 753.440”, u tha nga Ministria e Shëndetësisë.Në kuadër të vaksinimit tani për tani në stok janë mbi 300 mijë vaksina kundër COVID-19, kurse sipas MSh-së ka edhe të tjera të kontraktuara të cilat pritet të vijnë në bazë të dinamikës së përcaktuar.
Pavarësisht se ka kaluar më shumë se tri javë që nga koha kur janë vendosur masat e fundit antiCOVID, ministria përkatëse nuk ka dashur të deklarohet lidhur me mundësinë për ndryshimin e tyre.
MSh nuk është përgjigjur se kur pritet të hiqet ora policore, apo kur saktësisht do të bëhet vlerësimi dhe ndryshimi i masave aktuale antiCOVID të cilat duhet respektuar qytetarët e Kosovës.
Ndryshe në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë së fundi pati ndryshime sa i përket drejtimit të saj.
Pasi që Arben Vitia dha dorëheqje nga ky post dhe kandidoi për të parin e Prishtinës, si u.d e Ministres së Shëndetësisë u vendos Dafina Gexha-Bunjaku.
Por nuk shkoi gjatë dhe në kuadër të kësaj ministre, kryeministri Albin Kurti emëroi kirurgun Rifat Latifi.
Latifi është emëruar ditën e hënë në krye të MSh-së, ndërsa i njëjti ka karrierë të zhvilluar edhe jashtë Kosovës, saktësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht se emërimi i tij po bëhet në një kohë kur vendi ballafaqohet ende me virusin COVID-19, ai deklaroi se nuk ka një plan për ballafaqim.
Mbetet të shihet nëse ministri i Shëndetësisë do të arrijë të bëjë ndryshim pozitiv sa i përket përballjes me këtë virus që mori jetën e shumë qytetarëve.