Avokati i Popullit ka dalë me një reagim për rastin e qytetarit, për të cilin u hodhën pretendime se ishte dhunuar në ambientet e Bllokut të Sigurisë, duke sqaruar se në këtë fazë të verifikimeve nuk ka prova që vërtetojnë ushtrimin e dhunës.
Sipas institucionit, sapo është marrë sinjalizimi, katër ndihmës komisionerë janë angazhuar në terren. Në fillim ata janë paraqitur në QSUT, por gjendja shëndetësore e qytetarit nuk ka bërë të mundur intervistimin e tij.
Të lidhura
None found
Më pas, grupi i verifikimit ka vazhduar hetimet në Bllokun e Sigurisë, ku janë mbledhur dëshmi nga personeli dhe nga persona të tjerë të arrestuar. Pas transferimit të qytetarit në Spitalin e Traumës, është vijuar edhe me marrjen e deklarimeve të tij.
Avokati i Popullit bën me dije se dokumentacioni i administruar deri tani nuk i mbështet pretendimet për dhunë në ambientet e Bllokut të Sigurisë. Nga verifikimet rezulton gjithashtu se qytetari ka kaluar disa episode krizash shëndetësore, të lidhura me sëmundjen nga e cila vuan.
Institucioni thekson se qytetari është intervistuar edhe një ditë më parë dhe se, sipas dëshmisë së tij me shkrim, ai nuk ka paraqitur asnjë pretendim për dhunë, as në momentin e ndalimit, gjatë shoqërimit, qëndrimit në komisariat apo në Bllokun e Sigurisë.
Procesi i verifikimit vijon ende. Avokati i Popullit ka kërkuar që të administrohen pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet ku mbahen personat e arrestuar, ndërsa përfundimet finale do të bëhen publike pasi ato të analizohen plotësisht.
Nga ana tjetër, duke iu referuar dokumentacionit mjekësor dhe krizave të përsëritura shëndetësore, Avokati i Popullit vlerëson se qëndrimi i qytetarit në qeli përbën rrezik për shëndetin e tij dhe është në kundërshtim me standardet e nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për këtë shkak, institucioni i ka kërkuar Prokurorisë dhe Gjykatës që të rishohin pa vonesë masën e sigurisë dhe ta zëvendësojnë atë me një tjetër, të përshtatshme me gjendjen shëndetësore të qytetarit.
