Kulla e hotele në oborrin e selisë blu, Bardhi: Mashtrime të Berishës, qesha pa fund

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka cilësuar mashtrime të Sali Berishës, fotot që qarkulluan në rrjet, ku thuhej se në oborrin e selisë blu do të ngrihen kulla e hotele.

Bardhi tha se ka qeshur pa fund dhe sipas tij asnjë mashtrim i Berishës nuk mund të mbulojë dhunën e janarit 8 janar dhe shpalljen non-grata nga SHBA.

“Qesha pa fund me mashtrimin e sotëm të Sali Berisha. Na akuzon ne se po japim godinën e PD për ndërtim!!! Turp e faqja e zezë, deri ku shkon ligësia, mashtrimi dhe sajesat e një njëriu që ka humbur arsyen. Asnjë mashtrim i Sali Berishës nuk zhbën dot dy të vërteta: dhunën e një organizate kriminale ndaj PD në 8 Janar, dhe konfirmimin e sotëm për vendosmërinë e SHBA për të bashkëpunuar me PD për të ardhmen e Shqipërisë dhe kryqi i madh i zi që i kanë vënë Sali Berishës prej kohësh. Nga 18 Dhjetori ku demokratët lanë pas të shkuarën dhe zgjodhen të ardhmen, Partia Demokratike ka vetëm një mision: mbrojtjen e interesit publik dhe rikthimin në pushtet të PD, si e vetmja shpresë për të ardhmen e Shqipërisë”, shkruan Bardhi.


Shtuar 12.01.2022 21:48