Kryediplomatja sllovene Fajon sot vizitë në Kosovë, kë pritet të takojë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka pritur mbrëmë në aeroport Tanja Fajon, zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë.

Fajon do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë ku do të takohet sot me krerët e shtetit.

“Të dy vendet janë të vendosur të thellojnë miqësinë e tyre tradicionale dhe do të diskutojnë për intensifikimin e bashkëpunimit në rajon dhe në #Evropë”, thuhet në njoftimi e e MPJ-së së Kosovës në Twitter.

Ajo fillimisht do të ketë takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

“Në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon”, ka njoftuar zyra e Presidentes.

Pas takimit me Osmanin, kryediplomatja sllovene do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon. Takimi mbahet në orën 13:40”, thuhej në njoftim.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Sllovenisë ka deklaruar se Fajon dhe Gërvalla-Schwarz pritet të diskutojnë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe të shteteve dhe bashkëpunimin ekonomik, politikën e brendshme të Kosovës, si dhe situatën në rajon.

Pos takimit me Gërvallën, Fajon sot do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kosova dhe Sllovenia ruajnë raporte të mira, sidomos në sferën tregtare.

Sllovenia është një nga vendet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka ofruar mbështetje të hapur në integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike./express