Kryebashkiaku i Kharkiv: Bizneset të rifillojnë punën për ringritjen e ekonomisë

Kryebashkiaku i Kharkiv, qytetit të dytë më të madh në Ukrainë i ka bërë thirrje bizneseve që të rifillojnë punën gradualisht. Përmes një video-mesazhi në rrjete sociale, Ihor Terekhov tha se qyteti dhe vendi duhet të rinisin ekonominë.

“Në javët e fundit, presidenti dhe qeveria kanë thjeshtuar ndjeshëm rregullat për të bërë biznes dhe kanë ulur ndjeshëm normat e taksave. Unë u kërkoj sipërmarrësve të Kharkiv: Kthehuni gradualisht në punë.”-tha ai.

Kryebashkiaku shpjegoi se megjithëse mund të jetë ‘e pamundur’ të kthehet aktiviteti menjëherë me kapacitet të plotë, mund të bëhet me kapacitet të reduktuar.

Sipas Terekhov, deri më sot si rezultat i veprimeve ruse, 1,531 objekte janë shkatërruar në qytet duke përfshirë 1,292 ndërtesa banimi, 70 shkolla, 54 kopshte, 16 spitale dhe 239 ndërtesa administrative


Shtuar 31.03.2022 08:25