Kosova refuzon Shqipërinë për vaksinimin: Nuk do të injektojmë vaksinën kineze!

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia ka zbuluar se kanë refuzuar ofertën e Shqipërisë për vaksinimin e mësuesve derisa të vijnë doza nga Pfizer apo AstraZeneca.

Në konferencën e mbajtur nga qeveria ditën e sotme, i është përgjigjur gazetares  Alberta Hashani duke i thënë se nuk pranojnë vaksina nga kompania që nuk janë miratuar nga EMA ndërsa tregoi se aktualisht Shqipëria ka vetëm doza të vaksinës kineze.

Vitia: Nga kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu kemi pasur një ofertë gjeneroze që të vaksinohet stafi, personeli shëndetësor me vaksinat Pfizer ose AstraZeneca në territorin e Republikës së Shqipërisë ku ne do të organizonim procesin e vaksinimit edhe të transportit të organizuar.

Ndërkohë, vaksinat që erdhën në kontingjentin e parë, 24 mijë vaksinat, për shkaqe logjistike vaksinimi i personelit shëndetësor më shpejt ndodhi në Kosovë dhe ndërkohë kam kërkuar nga Manastirliu dhe qeveria shqiptare që kjo të mundësohet dhe për kategoritë e tjera, me theks të vecantë për mësimdhënësit.

Fatkeqësisht, numri i vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca janë harxhuar në republikën e Shqipërisë dhe kanë ngelur vetëm vaksinat Sinovac me prodhim nga Kina.

Për arsye se në Kosovë, edhe po të donim, na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte të cilat nuk janë të regjistruara në EMA, nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit tanë të vaksinohen me vaksina që ne nuk mund t’i garantojmë në fund të fundit për këto vaksina duke mos qenë të regjistruar në Kosovë pasi janë nga kompani që nuk janë të regjistruar në EMA.

Kjo është arsye pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka sqaruar se kur të kenë vaksina të tjera nga Pfizer apo AstraZeneca do të kenë mundësi që vaksinimi të ndodhë në një moment tjetër./tch