Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar takim trilateral me homologun serb Petar Petkoviq dhe Emisarin Miroslav Lajcak por që s’është nënshkruar asnjë marrëveshje përfundimtare për targat.
Sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, pala serbe s’ka prezantuar preferencën e saj në grupet punuese dhe s’kanë pranuar që detyra për një zgjidhje të çështjes së targave të bartet te kryenegociatorët dhe të gjendet zgjidhje për 30 ditët e ardhshme, raporton Gazeta Express.
“Pala serbe nuk i është përmbajtë marrëveshjes së palëve, pala jonë që në takimin e parë e ka zgjedhë preferencën e vet, pala serbe ka refuzu të përcaktojë preferencën e saj. Rrjedhimisht nuk kemi mundur të prezantojmë një zgjidhje sot. Prapë ne me kërkesë të zotit Lajcak kemi ofru një konsension shtesë që për 30 ditë detyra nga grupi punues të bartet te kryenegociatorët që bashkë ta gjejmë një zgjidhje por pala serbe nuk ka pranuar”, ka thënë Bislimi në një prononcim për gazetarët në Bruksel.
Lajçak konfirmoi takimet në Bruksel për targat, por shtoi se në këto takime po bisedohet edhe për takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
“Sot po zhvillohet takimi i kryenegociatorëve midis Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi një agjendë të plotë me çështjet aktuale, përfshirë targat e makinave, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë”, shkroi Lajçak në Tëitter.
Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.
Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.
Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti. Me ato masa, automjetet me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme – ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.