Shqipëria regjistroi në korrik nivelin më të lartë mujor të importeve të karburanteve të paktën që nga viti 2000. Të dhënat tregojnë se në vend hynë 75 mijë e 779 tonë naftë, ndërsa çmimi për litër kapërceu 200 lekët dhe në gusht u rrit deri në 219 lekë.
Volumi i importuar gjatë korrikut ishte rreth 4.800 tonë më i madh se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rritje prej 7 për qind.
Të lidhura
None found
Rekordi mujor është shënuar pavarësisht se, në total, importet e karburanteve kanë pësuar rënie. Gjatë shtatë muajve të parë të vitit u importuan rreth 408 mijë tonë, ose rreth 8 mijë tonë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia llogaritet në rreth 2 për qind.
Një tjetër veçori e kësaj periudhe lidhet me çmimin e naftës. Pikërisht në muajin kur karburanti kaloi kufirin e 200 lekëve për litër, importet arritën sasinë më të lartë mujore të regjistruar ndonjëherë.
Megjithatë, sasia e importuar nuk mund të barazohet drejtpërdrejt me konsumin. Nuk ka të dhëna publike që të përcaktojnë se sa prej 75 mijë tonëve u përdorën gjatë korrikut dhe sa u depozituan në stok.
