Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Pazarin e Vjetër në Korçë, ku një konflikt mes pronarëve të dy lokaleve përfundoi me plagosje me thikë.
Sipas informacioneve paraprake nga hetimet, dyshohet se sherri ka nisur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi përdorimin e hapësirës publike, konkretisht për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve në ambientet e jashtme të dy lokaleve.
Burime nga policia bëjnë me dije se në konflikt janë përfshirë katër persona, konkretisht dy vëllezër përballë dy vëllezërve të tjerë. Tre prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitali i Korçës dhe pritet të shoqërohen në komisariat së bashku me personin e katërt.
Si pasojë e përplasjes, njëri prej të përfshirëve ka mbetur i plagosur me thikë në këmbë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dy personat e tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta si pasojë e goditjeve me karrige gjatë konfliktit.
Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë në ngjarje.

