Kryetarja e komisionit për hetimin e koncesioneve në Shëndetësi, Albana Vokshi në një deklaratë për mediat nga Kuvendi akuzoi deputët e Partisë Socialiste se po përpiqen të mbulojnë korrupsionin nëpërmjet bllokimit të kërkesave për informacion.
Ajo tha se PS ka kërkuar që në shkresat e ekspertëve të hiqen emrat e persoanve që kanë kryer Check-Up-in, gjë që sipas deputetes pengon zbardhjen e shkeljeve që fshihen pas këtij koncesioni.
“Mbledhja e parë e komisionit u organizua në datë 25 mars. Sot, një muaj që PS me urdhër të Ramës për të mos bërë transparencë dhe për të mbuluar korrupsionin galopantë në shëndetësi kanë vendosur të bllokojnë kërkesat për informacion.
Një muaj refuzojnë të kalojnë në komision kërkesat. Ekspertët e PD Franci Nuri dhe Meri Likaj janë dakordësuar për numrin më të madh të shkresave vetëm për 3 shkresa ekspertët e PS kërkuan të heqin fjalët korrupsion madhor si dhe refuzonin të jepeshin emrat e personave që kanë kryer Check-Up-in.
Më besoni këtu është shkelja më e madhe. Ka emra personash që nuk jetojnë më, jetojnë jashtë dhe nuk janë parë në Shqipëri. Është një bazë e mirë për të vërtetuar shkeljet që janë bërë”– tha Vokshi.
Ndër të tjera ajo tha se deputetët e PS kishin përdorur fjalë fyerëse ndaj kolegëve demokratë, ndërsa i kërkoi kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që të marrë masa ndaj ligjvënësit socialist Petro Koçi.
“Ekspertët e PS kanë qenë bashkëpunues por dje e bllokuan sërish komisionin. Dje nënkryetari dhe sekretari gënjyen publikisht duke thënë se nuk i kishin marrë shkresat për informacion. Nuk duan të bëjnë transparente as për mediat as për publikun.
Sjellje ofenduese e nënkryetarit të komisionit dhe deputetëve të tjerë ndaj ekspertëve, jo vetëm ndaj ekspertëve të PD por edhe të PS që nuk u lejuan dje të marrin fjalën dhe të shpjegojnë procedurat. Plarent Ndreca ka fyer, kërcënuar dhe intimiduar ekspertët.
Petro Koçi ka kryer veprime të papraneshme ndaj Zheni Gjergjit. Ka përdorur një gjuhë shantazhuese dhe intimiduese ndaj kësaj zonje të nderuar. I bëj thirrje kryetares së Kuvendit të marrë masa ndaj Koçit për fyerjet që ka bërë dje ndaj Zheni Gjergjit”- tha Vokshi.
Mes debateve, mbledhja e djeshme e komisionit të Shëndetësisë, u shty për të enjten (25 prill) në orën 11:00.