Komision Hetimor për Investimet Strategjike, PS rrëzon sërish kërkesën e Grupit të PD-së, Alibeaj: Skemë korruptive

Maxhorca ka rrëzuar sërish kërkesën e PD-së për ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike.

Mësohet se është votuar kundër kërkesës së Grupit Parlamentar të PD.

Opozita depozitoi në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike më 24 maj.

Por ajo mbeti në mes për shkak se për të ngritur një komision hetimor duhen 35 firma dhe grupi i PD-së, megjithëse e kishte protokolluar kërkesën me numrin e duhur të firmave, Agron Duka u tërhoq, duke e lënë dokumentin me 34 firma.

Menjëherë pas kësaj një reagim ka ardhur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, i cili e ka cilësuar si një skemë korruptive dhe shkelje të Kushtetutës.

Alibeaj mes të tjerash ka theksuar se PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të ngritur këtë komision.

“Skemë korruptive, u shkel Kushtetuta dhe ligji për komisionet hetimore. Kërkuam që të hetoheshin të gjitha pikat e miratuara nga Komisioni për Investimet Strategjike.

U shkel kushtetuta për rrëzimin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor. Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për komisionin”, tha Alibeaj./albeu.com


Shtuar 20.06.2022 12:44