Kishin përshtatur lokalin në bazë bixhozi, prangosen 3 persona dhe shpallen në kërkim 2 pronarët e lokalit në Shkodër

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 3 persona, të cilët dyshohet se kishin përshtatur lokalin si bazë të lojërave të fatit.

Ata janë arrestuar në kuadër të operacionit “Fati i lojërave”.

Operacioni është zhvilluar nga Seksioni i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Gjithashtu bëhet me dije se janë proceduar penalisht nëntë shtetas të tjerë dhe janë shpallur në kërkim dy pronarët e lokalit.

Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar një tavolinë pokeri, çipsa, letra që shërbenim për lojërat e fatit dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabissativa.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lojërave të fatit, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në kuadër të operacionit “Fati i lojërave”, kanë goditur një tjetër rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme. Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, në një lokal, ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit, menjëherë shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lokalin me pronarë shtetasit L. P. dhe G. P. (vëllezër), i cili rezultoi i paregjistruar në organet tatimore.

Gjatë kontrollit në lokal, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri, çipsa, letra për lojën e pokerit dhe një sasi lënde narkotike canabis sativa.

Në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit:

A., 37 vjeç, i cili kishte rolin e shpërndarësit të letrave dhe E. H., 32 vjeç i cili kishte rolin e banakierit/manaxherit të lokalit, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojerave te fatit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

K., 19 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e pronarëve të lokalit, shtetasve L. P. dhe G. P., për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojerave të fatit”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paligjshem ose parregjistruar“ dhe “Punësimi i paligjshëm“.

Në përfundim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë edhe 9 shtetas të tjerë që u gjetën në ambientet e lokalit duke luajtur lojëra fati, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme./albeu.com/


Shtuar 15.12.2021 17:10