Kimi i kërkon ushtrisë të jetë në gatishmëri për “komplotin amerikan” për pushtimin e Koresë së V.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka bërë thirrje ushtrisë së vet të jetë gjithmonë në gatishmëri për luftë, në mënyrë që t’i parandalojë komplotet e rivalëve për pushtimin e vendit të tyre, raportuan mediat shtetërore të martën.

Ai i bëri këto deklarata pasi Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia mbajtën ushtrime detare trepalëshe për t’u përballë me kërcënimet bërthamore në rritje të Koresë së Veriut.

Ushtria amerikane dhe ajo jugkoreane janë duke mbajtur stërvitje të ndara dypalëshe verore që nga java e kaluar.

Koreja e Veriut i sheh stërvitjet e tilla me përfshirjen e SHBA-së si përgatitje për pushtim, megjithëse Uashingtoni dhe partnerët e tij ngulin këmbë se stërvitjet e tyre janë mbrojtëse.

Kimi tha gjatë një fjalimi për shënimin e Ditës së Marinës së Koresë së Veriut të hënën se ujërat pranë Gadishullit Korean janë bërë jostabile “nga rreziku për luftë bërthamore”, për shkak të armiqësive të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve qendrore të Koresë Veriore.

Ai i përmendi stërvitjet e SHBA-së me aleatët e vet, vendosjen e armëve të fuqishme amerikane në ujërat afër Gadishullit Korean dhe një samit së fundmi mes SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë, ku u arrit një marrëveshje për rritjen e bashkëpunimin për mbrojtje, si kundërpërgjigje ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Kimi i quajti presidentin e SHBA-së, Joe Biden, presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, dhe kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, “shefa të bandës” së tri shteteve

“Kjo gjendje mbizotëruese i kërkon marinës sonë t’i përqendrojë të gjitha përpjekjet për t’u bërë gati për luftë, ta ketë vëmendjen e vazhdueshme për luftë, në mënyrë që të jetë e gatshme për t’ia thyer armikut vullnetin për luftë”, tha Kim.

Në stërvitjet mes tri vendeve të martën në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit të Koresë së Jugut, Jeju, pati shkatërrues detarë nga të tri vendet.

Ndërkohë, që nga viti 2022, Koreja e Veriut i ka kryer më shumë se 100 testime të armëve, shumica e të cilave përfshinin raketa bërthamore të ndërtuara për ta goditur SHBA-në dhe aleatët e saj Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Kjo i ka shtyrë Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut t’i rrisin stërvitjet e tyre dhe t’i rinisin stërvitjet trepalëshe duke e përfshirë edhe Japoninë në to.

Kimi ka bërë përpjekje të mëdha për ta rritur arsenalin e vet bërthamor dhe për të krijuar sisteme të armëve të sofistikuara.

Gjatë fjalimit të tij, Kim shtoi se njësitë ushtarake të çdo shërbimi do të marrin armë të reja në përputhje me vendimin e Qeverisë për zgjerimin e përdorimit të armëve taktike bërthamore.


Shtuar 29.08.2023 09:29