Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se mungesa e konsensusit mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë, ishte e pritshme.
“Duhet të shqetësohemi më shumë se cilën rrugë ose hekurudhë të hapim, jo cilin grup. Nuk ka nevojë të shqetësohemi shumë, gjithçka është përafërsisht e pritshme”, tha ai gjatë një interviste në programin e përditshëm të lajmeve të Radios dhe Televizionit të Serbisë të mërkurën në mbrëmje.
Të lidhura
None found
Radio Evropa e Lirë (REL) ka mësuar se në takimin e ambasadorëve të BE-së, të paktën tetë shtete anëtare u shprehën qartazi dhe pa asnjë rezervë kundër hapjes së këtij grupi kapitujsh.
Si arsye, ato përmendën mangësitë në fushën e sundimit të ligjit, refuzimin e Serbisë për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, si dhe mungesën e përkushtimit të mjaftueshëm ndaj procesit të integrimit evropian.
Sipas burimeve të njëjta, disa shtete të tjera nuk e kundërshtuan hapur hapjen e klasterit 3, por vlerësuan se ende nuk janë krijuar kushtet për një hap të tillë.
Edhe ato shprehën shqetësime për sundimin e ligjit, mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe gjendjen e lirisë së mediave në Serbi.
Mundësia e hapjes së klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë ishte në rendin e ditës në takimin e ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së, pasi Komisioni Evropian rekomandoi me shkrim që Serbisë t’i mundësohej hapja e këtij klasteri brenda muajit korrik.
Megjithatë, pas një diskutimi që, sipas burimeve diplomatike të REL-it, zgjati shumë më gjatë sesa ishte planifikuar, kryesuesi i takimit konstatoi se shtetet anëtare të BE-së nuk kanë arritur konsensus për hapjen e klasterit 3 me Serbinë.
Ndërkohë, duke folur për pjesëmarrjen e ministrit të Informacionit dhe Telekomunikacionit Boris Bratin si i dërguar qeveritar në funeralin e udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, Vuçiq tha se ishte “vendimi i tij, sepse Irani nuk e njohu Kosovën”.
Në ceremoninë mortore të liderit iranian, i cili u vra në ditën e parë të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, më 28 shkurt, Serbia kishte përfaqësuesin e saj përkrah Rusisë, Bjellorusisë, Armenisë, Gjeorgjisë, Turqisë, Kinës, Pakistanit, Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera.
Vuçiq deklaroi gjithashtu se Serbia nuk do ta ndryshojë politikën e vet ndaj Moskës dhe Kievit në periudhën e ardhshme dhe se do t’i vazhdojë marrëdhëniet e mira me të dyja vendet.
Lideri serb njoftoi gjithashtu se vendimi për të shpallur zgjedhje të reja në Serbi do të merret në gusht ose shtator.
“Zgjedhjet me shumë gjasa do të mbahen në tetor ose nëntor, me shumë mundësi së pari parlamentare, pastaj presidenciale”, tha Vuçiq./REL
