Kievi padit vendet fqinje pasi i ndaluan eksportin e ushqimeve

Autoritetet ukrainase kanë paraqitur një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) kundër Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë për ndalimin e tyre të importit të ushqimeve nga Ukraina.

Kufizimet tregtare shihen nga ukrainasit si shkelje e detyrimeve ndërkombëtare të fqinjëve të tyre nga Bashkimi Evropian.

Këto tre vende përgjigjen se ndalimet ishin të nevojshme për të mbrojtur fermerët vendas nga produktet e lira të importuara.

Pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar pothuajse mbylli rrugët kryesore të tregtisë detare përtej Detit të Zi dhe sasi të mëdha drithi përfunduan në Evropën Qendrore.

Prodhuesit bujqësorë nga këto vende kanë protestuar që atëherë, duke pretenduar se dërgesat ukrainase po i minojnë ato dhe po prishin tregjet e brendshme.

Në fillim të këtij viti, 27 vende anëtare të BE-së miratuan kufizimet tregtare për grurin ukrainas, por tranziti mbeti i lejuar.

“Është thelbësore për ne të dëshmojmë se shtetet anëtare individuale nuk mund të ndalojnë eksportin e mallrave nga Ukraina”, tha Yulia Sviridenko, Ministrja e Ekonomisë e Ukrainës.

“Kjo është arsyeja pse ne po nisim padi kundër tyre [Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë] përpara OBT-së”, shtoi ajo.

Ajo shtoi se eksportuesit ukrainas tashmë “vuajnë dhe do të vazhdojnë të vuajnë për shkak të humbjeve të konsiderueshme” të shkaktuara nga ndalimet e njëanshme.

Polonia theksoi se do të vazhdojë ndalimin e importeve, pavarësisht se çfarë ndodh.

Ne mbajmë qëndrimin tonë, sepse e konsiderojmë të saktë, është rezultat i analizave ekonomike dhe ne kemi të drejtën për të bazuar në të drejtën e BE-së dhe ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i qeverisë polake Piotr Miller.

“Ankesa para OBT-së nuk na lë mbresa”, shtoi ai.

Më 8 shtator, Komisioni Evropian vendosi të zgjasë ndalesat, të rënë dakord në fillim të vitit, për drithërat ukrainas dhe eksportin e tyre në Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Sllovaki.

Komisioni Evropian ka përsëritur vazhdimisht se nuk i takon vendeve individuale të bëjnë politika tregtare për të gjithë bllokun e 27 vendeve.

Megjithatë, qeveritë në Budapest, Varshavë dhe Bratislavë kundërshtuan masën e Brukselit, duke shpallur kufizime kombëtare.


Shtuar 19.09.2023 10:24