Këshillimi Kombëtar, Rama publikon pyetjen: A duhet të paguajnë kontribute pensionistët që punojnë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook pyetjen e katërt të pyetësorit të Këshillimit Kombëtar.

Pyetja lidhet me pensionistët që punojnë ende, por që shteti ua merr kontributet e sigurimeve shoqërore.

“Ka njerëz që thonë se ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë ende të punojnë, nuk duhet të paguajnë kontributet shoqërore. Të tjerë mendojnë që nuk duhet bërë një diferencim i tillë. Si mendoni ju?”, është pyetja e drejtuar në këtë “referendum” me popullin.

Pensionistët e kanë dhënë kontributin e tyre financiar gjatë gjithë viteve të punës deri në momentin e daljes në pension. Pas këtij momenti, nëse ata zgjedhin të vazhdojnë të punojnë, nuk kanë përse të vazhdojnë të paguajnë sigurimet shoqërore, përderisa detyrimin e tyre e kanë shlyer më parë.

Ndërsa Rama në statusin e tij shprehet se ka pasur shumë reagime për pyetësorin e hedhur online dhe që po aplikohet edhe me postë.

“Me falenderimin e madh për 16.544 bashkëqytetarët e bashkëqytetaret, kudo ndodhen, që janë përfshirë deri mbrëmë në Këshillimin Kombëtar, duke e plotësuar pyetësorin online qysh në 24 orët e para, ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij kuvendimi popullor për çështje me rëndësi strategjike për Shtëpinë tonë Shqipërinë Jepni opinionet tuaja duke klikuar këtu https://keshillimikombetar.al/”, shkruan Rama.

Shtuar 22.01.2022 13:02