Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka zhvilluar procedurën e radhës së shitjes së energjisë e cila ka rezultuar me arkëtimin e 2.85 milionë eurove.
Nga përmirësimi i kushteve hidrike në kaskadën e Drinit janë kryer disa procedura për shitjen e tepricave të energjisë në tregun e parregulluar që i ka mundësuar KESH të arkëtojë në total 8.85 milionë euro.
Në procedurën që përfshinte shitjen në datat 10-13 dhjetor KESH do të shesë 11.2 mijë MWh ndërkohë që çmimi mestar i ponderuar ka rezultuar 254,76.
Paralelisht me procedurat e shitjes korporata ka shprehur interes edhe për depozitimin e energjisë duke kërkuar që këtë sasi ta tërhiqte në momente të tjera kur prodhimi në kaskadë mund të mos jetë i lartë. Gjithsesi këto procedura nuk kanë rezultuar të suksesshme pasi interesi ka munguar.
Ndërkohë qeveria ka vendosur që të mos aplikojë edhe për dhjetorin fashën 800 KWh argumentuar me faktin që tashmë kemi një përmirësim të situatës hidrike. Kjo fashë e miratuar pak muaj më parë parashikonte faturimin me 42 lekë të çdo KWh të konsumuar mbi nivelin 800 KWh.
Gjithsesi në tetor dhe nëntor ajo u pezullua dhe po kështu edhe për dhjetorin edhe pse procedura e aplikimit dhe miratimit duhet të kalojë në mënyrë institucionale nga Enti Rregullator i Energjisë.
Ndërkohë në Bursën e Hungarisë e cila është edhe referencë për vendin tonë çmimet kanë pësuar javët e fundit rritje për shkak të nisjes së valës së të ftohtit në Europë që për disa kohë u shoqërua nga një kohë më e qëndrueshme.
Çmimet janë në nivelet mes 350-400 në oraret bazë dhe mbi 450 euro MWh përgjithësisht në oraret pik. Edhe pse të rritura me periudhën e fillimit të nëntorit dhe tetorit sigurisht që këto çmime mbeten dukshëm më të ulëta sesa niveli i regjistruar në verë.
Aktualisht kriza e energjisë vijon të mbetet problemi kryesor i ekonomive europiane dhe asaj në vendin tonë duke qenë se kostot e rritura janë reflektuar edhe tek kostot e prodhimit.
Një stabilizim i plotë i çmimeve mbetet ende në pikëpyetje se kur do të vijë për aq kohë sa ngërçet e lidhura me luftë Rusi-Ukrainë dhe ato të lëndëve të para mbeten evidentë./Monitor