KAS rrëzoi kërkesën e PD për provat shtesë në Berat, Kaso: Vendim i paligjshëm

Komisionini i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) pas kërkesës së PD-LSI vendosi të bëhet rinumërimi i kutive në 24 qendra votimi në qarkun Berat.

KAS mori parasysh vetë provat e LSI dhe rrëzoi kërkesën e PD-së, e cila kërkonte që të merreshin informacionet shtesë për provat shtesë nga institucionet shëndetësore dhe organet ligjzbatues, si SPAK dhe Prokuroria, për të vërtetuar sipas demokratëve shkeljet zgjedhore.

Pas këtij vendimi, ka reaguar sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso, përmes një deklarate për media. Ai tha se KAS e ka detyrim ligjor që t’i vërë në dispozicion palëve garuese në zgjedhje prova që ata vetë nuk kanë mundur t’i sigurojnë, dhe përderisa kjo nuk është bërë procesi nuk mund të jetë i plotë.

“PD i është drejtuar institucioneve për t’i kërkuar këto prova, por provat nuk janë vënë në dispozicion dhe nuk besoj se do i vihen ndonjëherë në dispozicion opozitës. Detyrimi është i qartë që provat t’u vihen në dispozicion procesit ankimor dhe sa kohë këto prova nuk disponohen, procesi nuk mund të jetë i plotë, i qartë dhe çdo mosmarrëveshje zgjedhore nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë. KQZ ka detyrimin të administrojë çdo që gjë që palët garuese në proces zgjedhor dhe ankimuese, nuk kanë patur mundësi ta sigurojnë dot vetë. PD gjithçka që ka pretenduar e ka të provuar dhe provat i ka të depozituara në KAS, një pjesë e të cilave janë bërë publike. Ne kemi pretenduar që dimensioni i plotë i gjithçkaje që ka ndodhur do të publikohet dhe do të vijë në vëmendjen e publikut në tryezën e KQZ vetëm pasi të administrohet i gjithë dokumentacioni që ata refuzojnë që ta ndajnë me PD, mediat dhe aktorë të tretë. Pritshmëria jonë për KAS është që ata të zbatojnë ligjin”, tha Kaso./albeu.com


Shtuar 15.05.2021 11:05

Tags: , ,