Karrige të përmbysura, “rotacion” në qeveri dhe fjalime me drita fikur! Çfarë ndodhi sot në “Revolucionin” parlamentar

Ashtu siç edhe e patën paralajmëruar një ditë më parë, deputetët e opozitës së drejtuar nga Sali Berisha, kanë bllokuar sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndryshe nga herët e laluara, ku deputetët opozitarë bllokonin vetëm foltoren në Kuvend, këtë herë ata kanë zënë dhe karriget ku ulet kryeministri dhe ministrat në sallë.

Ka qenë mjaft e tensionuar seanca, ku ende pa nisur deputetët e opozitës kanë mësyrë në të gjitha karriget ku ulen anëtarët e kabinetit qeveritar duke i kthyer përmbys ato, për të treguar se nuk do të ketë më asnjë seancë plenare normale, pa u zbatuar më parë rregullorja e parlamentit sipas tyre.

Duke parë situatën jo normale në sallë nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, ka vendosur shtyrjen e seancës plenare.

Ndërkohë që deputetët e opozitës nuk kanë pranuar të largohen, madje kanë vijuar të mbajnë edhe fjalime në sallë në kushte jo normale.

Menjëherë pas urdhrit të Felajt për shtyrje të seancës plenare, në sallë janë fikur dritat, por kjo nuk ka penguar aspak ish-kryeministrin Sali Berisha që të mbajë fjalim në foltoren e Kuvendit përmes Facebook, dhe tu adresojë disa mesazhe qytetarëve.

Kujtojmë që grupi i drejtuar nga Sali Berisha kërkon përfshirje në komisionet parlamentare, pasi sipas tyre ata duhet të jenë përfaësuesit e qytetarëve në këto komisione, dhe jo pakica e drejtuar nga Lulzim Basha.

/Taulant Halili/ AlbEu.com/


Shtuar 19.10.2023 11:14