Kamarieri vrau 41-vjeçarin në Sarandë për vend-parkim, policia e identifikon dhe e shpall në kërkim (VIDEO)

Personi i cili goditi me thikë 41-vjeçarin Klodian Bakiaj në Sarandë, është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia.

Bëhet fjalë për Xh. T., 24 vjeç, banues në Laç, i cili dyshohet se punonte kamarier në një restorant në qytetin bregdetar.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit për vendin e parkimit, ndërsa Bakiaj si pasojë e dëmtimeve të marrë, ka ndërruar jetë në spitalin e Sarandës.

Njoftimi i policisë:

Sarandë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë, ku dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, një shtetas, si pasojë e dëmtimeve me mjete prerëse ka ndërruar jetë, në spitalin e Sarandës, ju informojmë se:

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 24 vjeç, banues në Laç.

Shtetasi Xh. T, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, në lagjen nr.1, Sarandë, ka goditur me mjete prerëse shtetasin K. B., 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marrë, ka ndërruar jetë në spitalin e Sarandës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë punën intensive për kapjen e autorit të dyshuar.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./albeu.com/