“Kam marrë dy letra anonime”, zbardhet dëshmia e Indrit Shaqjas

Indrit Shaqja, që i plagosur me armë zjarri në burgun e Peqinit nga Sokol Mjacaj, pasi eliminoi Arben Lleshin, ka shpjeguar se ka qenë duke qëndruar në ambientet e dhomës duke gatuar kur ndodhi ngjarja.

Ai ka thënë se polici i kolonës e ka thirrur atë dhe i ka thënë se e kërkojnë tek zgara e kolonës së sektorit.

Pasi ka dalë dhe ka parë se e kërkonte Mjacaj, i cili i ka thënë që të njoftojë Arben Lleshin për të dalë në dritare se ka për t’i thënë diçka.

Pasi është futur në dhomë, Arben Lleshi është afruar tek dritarja.

Shaqja ka thënë se teksa ka qenë duke parë ushqimin në sobë, ka dëgjuar fillimisht një krismë dhe kur ka kthyer kokën nga dritarja ka parë Arben Lleshin që po tërhiqej në thellësi të dhomës, duke humbur ekuilibrin.

Ai thotë se ka parë në dritare Mjacajn me pistoletë në dorë dhe kur është afruar, ka nisur të flasë me të dhe e ka sharë.

Pasi Mjacaj është larguar në drejtim të daljes jashtë në ajrim, Shaqja e ka ndjekur në korridor.

Kur ka dalë në ajrim, ai thotë se ka parë që Sokoli i kishte drejtuar pistoletën një polici.

“Mos m’u afro se do të të vras edhe ty”, mësohet t’i ketë thënë Sokol Mjacaj Indrit Shaqjas. Më pas, Shaqja ka deklaruar se Mjacaj ka hyrë në dhomën e takimeve me familjarët e dhomës B.

Shaqja ka deklaruar gjithashtu, se gjatë gjithë kohës që ka qenë dy herë në sportelin e derës së dhomës ka gjetur dy letra të shkruajtura me shkrim dore, një rreth katër vjet më parë dhe tjetrën rreth një viti e gjysmë më parë, në të cilat shkruhej e njëjta përmbajtje.

“Do të të paguajmë 200 mijë euro, do të sigurojmë edhe helmin që ti ta kryesh vrasjen e Arben Lleshit. Nëse je dakord na kthe përgjigje me letër”, ka thënë Shaqja.

Ai ka pohuar gjithashtu se në të dyja rastet letrat ia ka dhënë shtetasit Arben Lleshi për të cilin deklaroi se ka dijeni gjithë burgu.


Shtuar 19.12.2023 12:33