Ka më shumë akses në kontratat publike/ Kryeministri Rama: Ministritë dhe ministrat nuk kanë më lidhje me tenderat, “Diella” nuk fle gjumë, por…

Kryeministri Edi Rama, deklaroi se rritja e numrit të kompanive fituese në raport me procedurat e prokurimit është një tregues i qartë i transformimit në sistemin e kontratave publike në Shqipëri.

Rama theksoi se tashmë ka më shumë akses në tenderët publikë, duke kundërshtuar perceptimin që, sipas tij, krijohet nga narrativa mediatike e përditshme.

Të lidhura

None found

“Një e dhënë që është një tregues i këtij transformimi është rritja e numrit të kompanive fituese, jo në vlerë absolute, por në raport me numrin e procedurave. Pra ka shumë më tepër akses në kontratat publike, gjë që si gjithë kjo pasqyrë kundërshton shumë fort narrativen e jetës së përditshme mediatike, por siç e keni parë edhe nga pasqyra analitike e publikuar para disa ditësh nga ana ime, pasqyrë që do ta publikojmë rregullisht, është një narrativë e imponuar nga një shumicë e qëndrueshme burimesh që janë haptazi kundër qeverisë.

Një tregues shumë pozitiv për faktin se jetojmë në një atmosferë demokratike në këtë aspekt dhe një anomali në raport me vendet e BE, por një anomali e bukur sipas këndvështrimit tim që hedh poshtë pretendimet për mediat e kapura”, tha Rama.

Po ashtu, Rama deklaroi se ministritë dhe ministrat nuk kanë më lidhje me tenderat, pasi ato janë spostuar te agjencitë dhe te pushteti vendor.

“Ka një rol operatori i blerjeve të përqendruara. Operatori i Blerjeve të Përqendruara na ka dhënë mundësinë të bëjmë një tjetër kapërcim të madh, të mos bëjmë më tendera në ministri, pra ministritë dhe ministrat nuk kanë lidhje me tenderat, një pjesë e madhe e tenderave të spostohen hap pas hapi edhe nga agjencitë kryesore, por edhe tek pushteti vendos sipas zgjedhjes së tyre dhe ne nuk mund të imponojmë si i bën tenderat. Kështu krijojmë një strukturë super të specializuar për të realizuar proceset që janë më të komplikuara, shumë më tepër sesa i duken atyre që i komentojnë pa ditur se cfarë flasin”, deklaroi kryeministri.

Rama foli dhe per perfshirien e Inteligjences Artificiale ne Prokurimet Publike, teksa tha se po punohet per nje sistem qe t’i mbledhe dokumentet ne te gjitha institucionet, duke thene se “Diella nuk fle gjume”.

“Mund të jetë krijuar një opinion sikur Diella bën punën që ka bërë më parë dhe fle. Tani jemi në një fazë të re të procesit, pasi janë hartuar gjatë kësaj periudhe 450 faqe specifikime teknike të detajuara, për të cilat kanë punuar ekspertë vendas, dhe këto faqe janë vënë më pas në shqyrtimin e Bankës Botërore, e cila ka dhënë pak ditë më parë dritën jeshile pa kundërshtime. Tani jemi gati të kalojmë në fazën e ndërtimit të një sistemi të prokurimit elektronik me AI”, tha Rama.


Shtuar 11.05.2026 12:06

Tags: ,