Tregtarët e Vlorës protestë në Bashki: Po humbasim miliona lekë mall, s’po na lënë të hapim dyqanet e të punojmë, kemi dëme ekonomike

Këtë të hënë, tregtarët e tregut të fruta-perimeve, por edhe ata të tregut industrial në qytetin e Vlorës, janë mbledhur sërish në protestë, pasi nuk janë lejuar të hyjnë jo vetëm në ambientet e tregut, por as në dyqanet e tyre.

Sipas tregtarëve, situata ka ardhur si pasojë e punimeve për rikonstruksionin e tregut të madh të qytetit, investim i cili ka nisur prej pak ditësh.

Të lidhura

None found

Ata shprehen se bllokimi i hyrjes po u shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike, pasi kanë mallra me vlerë miliona lekë që rrezikojnë të dëmtohen, ndërsa nuk mund të hapin as qepenat e bizneseve të tyre.

Ndërkohë që dyqanet që janë në treg në vendimin e parë do të lejoheshin të hapeshin, por jo të dilnin me mallin në rrugë, por as sot dyqanet nuk janë lejuar të hapen.

Pas grumbullimit në treg, protestuesit janë zhvendosur drejt ambienteve të Bashkisë së Vlorës, ku kanë kërkuar një takim me kryetaren Bashkisë, Brunilda Mersini.

Në shenjë revolte, disa prej tyre kanë shtyrë edhe portën kryesore të institucionit.

Tregtarët kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për aksesin në bizneset e tyre, ndërsa vijojnë të qëndrojnë para Bashkisë në pritje të një reagimi nga autoritetet lokale.


Shtuar 11.05.2026 11:46