Jo vetëm Champions ndryshe, UEFA është gati të zhdukë edhe Fair Play Financiar

Futbolli europian do të jetë shumë më ndryshe në edicionet e ardhshme, pasi UEFA po bën gati ndryshimin radikal të Ligës së Kampioneve, që është turneu i saj më i ndjekur. Por përveç atij turneu, UEFA ka vendosur që tashmë t’i japë lamtumirën edhe Fair Play Financiar.

Me sa duket organizata nuk di si të ndalë me shpenzimet e klubeve dhe nuk mund t’i pengojë, pasi gjithmonë ka një mënyrë për të anashkaluar rregullat, siç e treguan më së fundmi rastet e PSG dhe Mançester Sitit.

Kështu, UEFA do të zhvillojë nesër një konferencë të përbashkët me zyrtarë të Parlamentit Europian, për të parë se si mund të ndërtohet një rregullore e re, që të mund të ketë efekt mbi shpenzimet e tepruara të klubeve. Objektivi nuk do të jetë të ndalë klubet të bëjnë shpenzime, por të ndalë ata nga kryerja e shpenzimeve që kanë kaluar limitet normale në një periudhë krize.

Do të diskutohet mundësia e vendosjes së rrogës tavan, apo edhe shifrës tavan për transferimet, në total për lojtarë e total për klubin, por për të bërë një gjë të tillë duhet leje nga Bashkimi Europian, që ka rregullat e veta mbi tregtinë e lirë. Ndaj po organizohet kjo konferencë e përbashkët për të diskutuar idetë që dalin në këtë drejtim, pasi synohet që rregullorja e re të hyjë në fuqi që nga viti 2022.


Shtuar 24.03.2021 18:34