EMRAT/ Jo vetëm Berisha, Basha njofton përjashtimin nga PD edhe të grupit që u pezulluan

19 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit të pezulluar nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti, Basha u kanë dhënë një shans të fundit. Gjatë intervistës Basha u shpreh se në rast se ata do të distancohen nga dhuna e protestës së 8 janarit në selinë blu, do ketë një vlerësim tjetër për ta nga institucionet e partisë. Në të kundërt kreu i PD tha se mosdistancimi flet qartë për fajin e tyre, duke nënkuptuar përjashtimin e përhershëm.

Juxhin Mustrafaraj-Abc: Zoti Basha keni lënë një dritë le të themi portokalli për 19 funksionarët të Partisë Demokratike. Pse një pjesë e atij që quhet Komisioni i Rithemelimit janë parë me sy të mirë nga ju apo iu është dhënë drita jeshile ndërkohë për 9 funksionarë të tjerë përfshirë edhe Sali Berishën u mor vendimi që të përjashtohen përjetësisht nga Partia Demokratike?

Lulzim Basha: Nuk ka dritë jeshile për asnjërin. Të gjithë janë përjashtuar nga Partia Demokratike. Të pezulluarit kanë një mundësi të distancohen nga dhuna dhe distancimi i tyre nga dhuna do të vlerësohet nga institucionet e partisë. Mosdistancimi i tyre deri në këtë moment flet qartë për fajin e tyre.

Përveç Berishës, përjashtimi i menjëhershëm nga PD, prek dhe 8 emra të tjerë, mes të cilëve edhe ish presidentin Bujar Nishani apo dhe tre deputetët Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi. Ndërsa për 19 të tjerë, është vendosur pezullimi i menjëhershëm nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti. Vendimi u mor nga kryesia e kësaj partie më 11 janar, si përgjigje ndaj ngjarjeve të 8 janarit, kur selia e PD-së u sulmua nga mbështetësit e Berishës duke shkatërruar dhunshëm një pjesë të mirë të mjediseve të saj.

Funksionarët e pezulluar;

1. Agron Shehaj

2. Aldo Bumci

3. Belind Këlliçi

4. Blendi Himçi

5. Clirim Gjata

6. Edi Paloka

7. Edith Harxhi

8. Eno Bozdo

9. Ervin Minarolli

10. Genc Deromemaj

11. Genc Pollo

12. Gent Strazimiri

13. Ivi Kaso

14. Ledina Mandija

15. Lorenc Luka

16. Luan Baçi

17. Mimoza Hajdrmamataj

18. Oerd Bylykbashi

19. Tritan Shehu

Në intervistën për ABC, Basha shprehet se Sali Berisha drejtoi më datë 8 janar një organizatë kriminale, e cila do të vriste funksionarët e Partisë Demokratike. Basha theksoi se funksionarët e PD ishin në krye të detyrës paraditen e 8 janarit dhe se ishin Berisha dhe mbështetësit e tij që rrezikuan seriozisht jetën e tyre. Kryedemokrati përgjigjet edhe për akuzat se është në komunikim dhe koordinim me Edi Ramën.


Shtuar 12.01.2022 15:16