Nga java e ardhshme pritet që në vend të mbizotërojë mot jostabil, ka bërë të ditur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës. Sipas njoftimit, ka mundësi edhe për reshje shiu.
Ndërkaq të hënën dhe të martën parashihet mot stabil dhe me intervale të gjata me diell.
Nga dita e mërkurë do të ketë ndryshim në parametrat meteorologjik, kështu që si pasojë e prezencës së masave të ajrit me presion të ulët do të ketë kushte të favorshme për krijimin e vranësirave të dendura të cilat parashihen të sjellin reshje dhe rënie të temperaturave maksimale.
Minimalet do të lëvizin ndërmjet 2-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-22 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja dhe verilindja me shpejtësi 1-8m/s.