Iu referua Berisha, çfarë është “SKY”, aplikacioni i mafies për komunikimet e fshehta që u thye nga policia?

Ish-kryeministri Berisha tha sot paradite se nga thyerja e aplikacionit të komunikimit të kriptuar mes grupeve mafioze në Europë dhe Shqipëri janë gjetur edhe biseda të tyret me ministra, prokurorë dhe gjyqtarë në vendin tonë.

Sipas Berishës, kjo ka tronditur themelet e qeverisë.

Por cilit aplikacion i referohet Berisha dhe si shkoi policia belge drejt thyerjes së kodit të tij?

Gjithçka nisi pak muaj më parë kur policia belge mori të dhëna se grupet mafioze komunikonin mes tyre përmes një aplikacioni të sofistikuar dhe të pagjurmueshëm nga organet e rendit.

Nëpërmjet këtij aplikacioni ata flisnin për organizimin e trafiqeve, porositjen e vrasjeve dhe gjithçka tjetër mbi aktivitetin e tyre kriminal.

Bëhet fjalë për aplikacionin “Sky ECC”, ku thyerja e të cilit u pasua nga një numër i madh operacionesh duke arrestuar dhjetëra anëtarë të grupeve kriminale, ndërsa u kapën edhe sasi të mëdha droge dhe armësh.

Pas thyerjes së kodit të këtij aplikacioni, policia ishte në gjendje të lexonte mesazhet e koduara të dërguara nga trafikantët e dyshuar të drogës për disa vite.  Hetimi shkaktoi një seri arrestimesh spektakolare edhe në mars.

Sipas mediave belge, policia po vijon ndjekjen duke shkatërruar disa rrjete droge në Belgjikë dhe Europë.

Dhjetë persona disa prej të cilëve punonin për kompani portale u arrestuan në Antwerp të hënën.   Ata dyshohet se kanë futur drogën në vend nëpërmjet portit.  Një bandë e madhe droge u çmontua gjithashtu pas arrestimeve në disa vende të ndryshme.

Me zhvendosjen e aksionit policor drejt Brukselit, mafia shqiptare besohet se është në sy të hetuesve.

Sipas mediave të huaja, Mafia shqiptare po luan një rol në rritje në trafikun e kokainës përmes portit të Antwerp-it dhe trafikimit të njerëzve drejt Britanisë së Madhe, ku Belgjika është një vend tranzit.   Në mars të vitit të kaluar, hetuesit belgë udhëtuan në Shqipëri për të forcuar bashkëpunimin me kolegët e tyre shqiptarë.

“Organizata mendohet se është përfshirë në importin e të paktën 1.3 ton kokainë me vlerë rrugore mbi 50 milionë euro”, thuhet në mediat e huaja.

Shtatëdhjetë përqind e hetimeve në Antwerp janë aktualisht me indicie për hetimin e Sky ECC, ndërkohë raportohet se janë gjithsej 194 dosje. /abcnews.al


Shtuar 17.02.2022 13:38