Ish-ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian Gordon Sondland, një nga dëshmitarët kryesorë në procesin e nisur në Kongres për shkarkimin e ish-Presidentit Trump në vitin 2019, paditi të hënën ish-sekretarin e Shtetit Mike Pompeo në një përpjekje për t’u rimbursuar për një shumë prej 1.8 milionë dollarësh në shpenzime ligjore.
Në një padi gjyqësore, të ngritur në gjykatën federale në Uashington, zoti Sondland pretendon se zoti Pompeo ishte zotuar t’i rimbursonte atij shpenzimet ligjore pas thirrjes për të dëshmuar rreth akuzave të ngritura ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Ky i fundit akuzohej nga demokratët se kishte penguar ndihmën ushtarake amerikane ndaj Ukrainës ndërsa kërkonte një hetim ndaj rivalit politik Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter Biden. Zoti Sondland thotë se zoti Pompeo “hoqi dorë nga premtimi” pasi mësoi detajet e dëshmisë së tij (Sondland).
“Me angazhimin kontraktual të zotit Pompeo, i cili u braktis me sa duket për leverdi politike, Ambasadori Sondland i drejtohet Gjykatës për t’i rimbursuar tarifat dhe kostot e avokatëve të tij”, shkruante në padi avokati i zotit Sondland, Mark Barondess.
Një zëdhënës i zotit Pompeo e quajti padinë “qesharake” dhe tha se ai (Pompeo) ishte “i bindur se gjykata do ta shohë atë në të njëjtën mënyrë”.
Gjatë dëshmisë, e cila cilësohet në padi si “shumë e tensinuar, shumë të ngarkuar dhe tejet e rrezikshme e me pasoja të jashtëzakonshme”, zoti Sondland përshkruante se si zoti Trump dhe avokati i tij, Rudy Giuliani, i kishin kërkuar në mënyrë të qartë autoriteteve në Ukrainë një favor në këmbim të një tjetri. Dhoma e Përfaqësuesve i ngriti zyrtarisht akuzat për shkarkimin nga detyra të ish-Presidentit Trump, por Senati e shpalli atë të pafajshëm në shkurt të vitit 2020. Në padi thuhet se zoti Sondland u shkarkua nga detyra disa ditë pas këtij vendimi, “thjesht sepse tha të vërtetën”. Në të thuhet gjithashtu se mungesa e gatishmërisë për të mbuluar tarifat e tij ligjore jo vetëm që përbën një shkelje të angazhimit dhe të “një marrëveshjeje normale’, por ishte gjithashtu “tejet problematike në këtë rast, pasi niveli i përgatitjes së nevojshme për të përmbushur kërkesën e Kongresit për të dëshmuar, ishte tejet i voluminoz”.
“Për përgatitjen e dëshmisë së tij të rëndësishme, Ambasadori Sondland punoi me një firmë juridike në Washington, e cila kishte përvojë të mirë në hetimet që zhvillon Kongresi e që kishte kapacitetin e duhur për ta ndihmuar atë, së bashku me këshilltarin e tij personal prej një kohë të gjatë”, thuhet në padi.
“Ambasadori Sondland u mbështet në premtimin personal të zotit Pompeo, në emër të tij dhe Qeverisë, për të kërkuar këshillim të jashtëm çka i kushtoi atij afro 1.8 milionë dollarë në tarifa e pagesa për avokatët”.
Padia gjyqësore u raportua për herë të parë nga gazeta “Washington Post”./VOA