E varur nga “hidro” Shqipëria u zhyt nën kthetrat e krizës energjetike për shkak të vendimeve të gabuara të KESH-it dhe Ministrisë së Energjetikës. Të dhëna dhe dëshmi të grumbulluara nga Investigative Network Albania tregojnë se autoritetet i varën shpresat te reshjet e shiut, duke bërë që vendi ynë të ekspozohej nga rritja marramendëse e çmimit në bursë. Burime konfidenciale paralajmërojnë një tjetër stinë të vështirë për rreth 230 mijë familje, që mund të preken nga rikthimi i faturës me fasha, një skemë kjo për të mbushur gropën e zezë të financave në këtë sektor.
Autor: Emirjon Senja
Duke marrë si model Gjermaninë që ka nisur kursimet drastike të energjisë, gjatë një takimi me kryebashkiakët e vendit, kryministri Edi Rama, paralajmëroi shqiptarët të ‘shtrëngojnë rripin”.
“Flasim për shkurtime tërësore të furnizimit me energji elektrike, ne e kemi bërë këtë plan, është një plan emergjence, jo për tani”, – deklaroi Rama, duke u kërkuar kryebashkiakëve dhe qytetarëve që të nisnin kursimet.
Një ditë më pas deklaratës së Ramës, më 23 Korrik, çmimet e energjisë në bursën e Hungarisë, së cilës i referohet edhe Shqipëria kur del në treg për të blerë. kapën nivele rekord prej 510 euro/MWH, por gjatë pikut ky çmimi shkoi në 596 euro/MWH.
Ky çmim marramendës i ndikuar më së shumti nga lufta Rusi – Ukrainë po kthehet në një makth jo vetëm për Shqipërinë.
E varuar nga burimet hidrike, që nuk paraqiten aspak optimiste, KESH u përpoq gjatë verës së nxehtë të këtij viti që të ruante një balancë 50 me 50 për prodhimin dhe importin e energjisë elektrike, me qëllim konservimin e kaskadës së Drinit. Por më 25 korrik, kur çmimet në bursë kapën shifra marramendëse, KESH prodhoi rreth 73 % të nevojave për energji elektrike nga kaskada e Drinit.
Shqipëria përllogaritet se prodhon rreth 70% të nevojave për energji në vend. por thembra e Akilit mbetet mënyra se si menaxhohen kaskadat.
Në fillim të këtij viti, kur niveli i Fierzës ra në kuota minimale dhe zbuloi qytetin e vjetër, Sef Cungu u rikthye në vendin, ku 46 vite më parë gjendej fshati i tij, Ram-Has. 76-vjeçari arriti të gjejë gërmadhat e shtëpisë, ku kishte lindur ai dhe 15 breza të tjerë të familjes së
madhe.
Mes rrënojave të shtëpisë së fëmijërisë, Sefa rrëfen për INA MEDIA-n se fshati njihej si “Stambolli i vogël” dhe e lanë nën pushtetin e ujërave të Fierzës së bashku me gjithçka: toka, shtëpi dhe pemë të shumta, frutore.
Foto nga Kukësi i vjetër, rrënojat e të cilit dolën pas rënies së ndjeshme të ujërave të liqenit të Fierzës, dhënë INA MEDIA-s nga Ramadan Tola
“Në atë fshat kemi qenë rreth 200 shtëpi. Kemi patur pemë frutore pafund, toka të shumta dhe prona të tjera, të cilat na i përmbyti hidrocentrali”, – tregon ai, ndërsa nuk e fsheh zhgënjimin për çfarë ndodhi më pas.
Por, ndërsa për Sefën thatësira ishte një mundësi e rrallë për t`u rikthyer në të shkuarën, për shqiptarët ishte paralajmërimi se vendi mund të gjendej shumë shpejt nën kthetrat e një krize të gjatë, energjetike.
Kur ranë kambanat e krizës energjetike, Shqipëria e blinte 1 MW/h energji elektrike me rreth 300 euro, por jo vetëm Shqipëria, në mes të një krize energjetike gjendeshin thuajse të gjitha vendet e Europës. Rusia sapo kishte sulmuar Ukrainën dhe Europa duhet të bënte një zgjedhje: të vazhdonte të blinte gazin rus apo ta ndërpriste këtë burim të rëndësishëm, duke rrezikuar futjen e kontinentit në një krizë të madhe.
Si pasojë e kësaj pasigurie, kurba e çmimit të energjisë elektrike pësoi një rritje galopante.
Panorama e zymtë globale e energjisë duket se do të thellohet edhe më përgjatë këtij viti. Të dhënat tregojnë se deri në muajin korrik, importet e energjisë po kapin nivelin e sasisë që Shqipëria importoi thuajse për të gjithë vitin e kaluar, ndërkohë qeveria ka paralajmëruar se për importet këtë vit mund të nevojiten 500 milionë euro.
Basti me motin
Emergjenca u shpall më 4 tetor 2021, ndërkohë që HEC-i Fierzës gjendej në kuotat e tij minimale, historike. Me një vendim ekstrem qeveria merr në duar të gjithë sistemin energjetik të vendit. Sipas kryeministrit, që e mori vetë nën kujdestari këtë sektor, nuk bëhej më fjalë për shtrenjtim çmimi, por për mungesë burimesh energjetike.
Referuar këtij vendimi, qeveria i ndaloi të gjitha investimet e kompanive që bëjnë prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike me qëllim orientimin e fondeve në drejtim të sigurimit të saj.
Kaskada e Drinit ishte “shtrydhur” deri në limitet e saj, ndërsa çmimi i një MW/h energji elektrike në treg ishte të paktën tri herë më i shtrenjtë krahasuar me muajin, kur u vendos shfrytëzimi maksimal i HEC-eve të Drinit.
Prurjet mesatare në liqenin e Fierzës gjatë vitit 2021 krahasuar me prurjet mesatare historike (1991-2019) në m3/sek. Burimi: KESH sh. a. Përpunimi grafik: INA MEDIA
Baseni i Fierzës e mbylli vitin 2021 në një nivel 275.1 metra, një tregues jo shumë premtues përballë një situate të pasigurt, energjetike në botë. Vetëm pak javë më pas, KESH u detyrua që në shkurt dhe në mars 2022 energjinë, që nuk e kurseu gjatë verës së vitit 2021, ta blinte me çmime deri në 295 euro MW/h.
Siç rezulton nga të dhënat zyrtare, KESH ka shitur energji elektrike gjatë periudhës qershor-korrik 2021 me një çmim që varion nga 50.35 euro/MWh deri në 150.4 euro/MWh, por asnjëherë me një çmim të përafërt me atë që është detyruar ta blejë në të njëjtën periudhë.
Niveli i liqenit të Fierzës gjatë vitit 2021, krahasuar me mesataren historike
Burimi: KESH sh. a. Përpunimi grafik: INA MEDIA
Siç duket edhe nga të dhënat e siguruara nga INA MEDIA, gjatë muajve korrik-gusht-shtator 2021, kur në Europë po vërehej një rritje e kërkesës për energji për shkak të rihapjes së ekonomive, KESH-i e ka shfrytëzuar maksimalisht kaskadën e Drinit.
Vendimin për shfrytëzim maksimal të kaskadës më të madhe në vend institucionet e justifikuan me çmimet e shtrenjta të energjisë në tregje, por kjo zbrazje e Fierzës nuk e shpëtoi vendin nga kriza. Muajt pasues treguan se, jo vetëm që u harxhuan më shumë parà nga financat publike, por qeveria u detyrua të shpallte situatën e emergjencës.
Përgjatë vitit të thatë 2021, Shqipëria konsumoi gjithsej 8,415 GW/h energji elektrike, ndërkohë që sistemi energjetik shqiptar prodhoi gjithsej 8,962 GW/h.
Edhe pse me suficit në drejtim të prodhimit, paradoksalisht vendit iu desh të importonte sasi të mëdha energjie elektrike gjatë vitit të kaluar për shkak të shpërndarjes jo të drejtë të intensitetit të prodhimit, si dhe humbjeve në rrjet.
Vendimet e gabuara, që zbrazën kaskadën e Drinit
Në muajin maj 2021, niveli i ujit në liqenin e Fierzës ishte në vlerat maksimale historike, duke bërë që kaskada e Drinit të arrinte një rezervë energjetike prej 1,520 GW/h. Mirëpo, nga qershori dhe përgjatë muajve në vazhdim, rezerva energjetike në basenin e Drinit zbriti deri në 3.5 herë, duke kapur shifrën minimale 426 GW/h në nëntor 2021.
Rezerva energjetike ditore në kaskadën e Drinit, 2021
Burimi: KESH sh. a.
Përpunimi grafik: INA MEDIA
Prurjet në basenin e Drinit gjatë vitit 2021 ishin në mesataren historike përgjatë vitit dhe ndjeshëm sipër mesatares gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Kjo, sipas ERE-s, i mundësonte KESH-it që të bënte një menaxhim më të frytshëm të kaskadës së Drinit gjatë periudhave në vijim, por situata nuk u menaxhua, siç duhej.
KESH i vari shpresat te shirat, që në të vërtetë nuk ranë, siç pritej, duke bërë që kaskada e Fierzës të mbetej në tetor-nëntor nën mesataren e saj historike.
Si u zbraz kaskada e Drinit?
Të dhënat e përpunuara nga INA MEDIA me ekspertë të fushës tregojnë se përgjatë muajve të verës (korrik-gusht-shtator), kaskada e Fierzës është mbajtur historikisht në nivelet mesatare 289.4-285-279.4, ndërsa në vjeshtë KESH-i futej me Fierzën në nivelet 275.4. metra. Situata ndryshoi krejtësisht gjatë vitit të shkuar dhe këtë vit, ku niveli i HEC-it të Fierzës në shtator 2021 ishte 271.3, kurse tetori e gjeti në 266.7 metra.
Niveli i liqenit të Fierzës gjatë vitit 2021
Burimi: KESH sh. a.
Përpunimi grafik: INA MEDIA
Për të vlerësuar, nëse punët janë mirë apo keq me energjinë elektrike në vendin tonë, merret si referencë niveli i HEC-it të Fierzës, i cili konsiderohet si rregullatori i kaskadës së Drinit.
Sipas ekspertëve gabimi nisi, në momentin që u vendos shfrytëzimi maksimal i kaskadës së Drinit, pikërisht në momentin kur çmimi i energjisë elektrike filloi të rritej në tregjet ndërkombëtare. Në maj 2021, 1 MW/h energji elektrike kushtonte mesatarisht 59.9 euro. Në qershor, çmimi shkoi në 77.9, ndërsa në korrik u rrit në 95 euro/MW/h.
Duke parë kurbën e çmimeve në rritje, KESH vendosi shfrytëzimin maksimal të kaskadës së Drinit në verë, me shpresën se do ta mbushnin sërish me shirat e vjeshtës. Një vendim që rezultoi me pasoja krejt të kundërta. Ekspertët vendimmarrës në KESH dhe në ministrinë e linjës, në vend që të parashikonin rritje të çmimit të energjisë elektrike në tregje, ndërkohë që ekonomitë po rihapeshin nga pandemia, në fakt ecën me logjikë krejt të kundër, atë të uljes së tyre.
Ishte pikërisht ky momenti kur Shqipëria e “humbi trenin” e mirë-menaxhimit të burimeve energjetike të vendit dhe ishte vulosur kriza.
Burime nga këto organe vendimmarrëse i thanë INA MEDIA-s se ata ishin nën presion dhe se një vendim ndryshe mund të perceptohej po ashtu si keqmenaxhim.
“Një vendim për të blerë më shumë energji elektrike në tregun që ishte shtrenjtuar tashmë, në një kohë kur kaskada e Drinit ishte plot, mund të perceptohej po ashtu si keqmenaxhim, nëse çmimi i energjisë elektrike do të ulej në muajt në vijim”, – pohon burimi në kushtet e anonimatit.
Eduart Elezi, ish-drejtor i ERE-s, është i bindur se kemi të bëjmë me një keqmenaxhim të kaskadës së Drinit. Nisur nga treguesit e tanishëm, por sidomos ato të vitit 2021, ai madje
akuzon për shkelje ligjore përmes cenimit të sigurisë së furnizimit të vendit me energji elektrike.
“Ka dy shkelje këtu. E para lidhet me cenimin e sigurisë së furnizimit, e cila përbën shkelje ligjore. E dyta lidhet me koston e lartë të blerjes së energjisë elektrike nga importi, prandaj duhet një menaxhim shumë i saktë i burimeve energjetike të vendit. Nëse do të kishim një menaxhim të mirë, do të ruheshin edhe ekuilibrat”, – pretendon ish-drejtuesi i ERE-s, Eduart Elezi.
Fatura të kripura për “dorëlëshuarit”
Përballë një krize energjetike,
qeveria shqiptare ka gjetur një rrugë për të dekurajuar konsumin e energjisë nga njëra anë, por edhe për të shëndoshur treguesit financiarë të sistemit nga ana tjetër.
Bëhet fjalë për një tarifë të re të energjisë elektrike për abonentët familjarë, që harxhojnë më shumë se 700 kW/h në muaj. Sipas përllogaritjeve të bëra nga INA MEDIA, në këtë fashë të re do të kategorizohen të gjitha familjet që konsumojnë më shumë se rreth 8.000 lekë në muaj për energjinë elektrike. Çdo kilovat i harxhuar mbi fashën 700 kW/h do të paguhet me një çmim tjetër, jo më 9.4 lekë, siç është tani.
Deri më tani nuk ka ende një vendim final edhe sa i përket fashës, e cila mund të ngrihet deri në 800 kW/h, siç paralajmëroi në fillim të korrikut ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.
Por, sa është numri i abonentëve familjarë, që preken nga ky ndryshim i çmimit të energjisë elektrike?
Në mënyrë jozyrtare nëpër media është qarkulluar një shifër 5% ose rreth 65 mijë abonentë familjarë, por INA MEDIA mëson se në fakt shifra e të prekurve pritet të jetë shumë më e madhe, që do të variojë nga 20-25% e totalit të abonentëve familjarë në varësi të stinës. E përkthyer në shifra, bëhet fjalë për një numër mes 190.000 deri në 230.000 abonentë familjarë, që do të paguajnë fatura më të shtrenjta, nëse miratohet fasha 700 kilovat.
Për ish-kreun e ERE-s, Eduart Elezi, kjo është “de facto” rritje e çmimit të energjisë. Sipas tij, qeveria thotë një gjysmë të vërtetë, kur i referohet vetëm çmimit të energjisë në bursa (i cili është vërtet i shtrenjtë), por “harron” me dashje faktin se kostoja e 1 MW energji elektrike të prodhuar nga KESH është jashtëzakonisht e ulët.
“Qeveria flet për shtrenjtim të saj për fashën 700-800 kilovat, duke iu referuar vetëm çmimit në bursa, i cili është realisht i shtrenjtë tani, por KESH-i e prodhon 1 KW/h energji elektrike me një kosto 12 euro, prandaj duhet një gërshetim i kostove të importit me ato të prodhimit vendas”, – tha ai.
Por, Eduart Gjokutaj sugjeron një zgjidhje ndryshe nga qeveria në lidhje me këtë nismë. Sipas tij, më parë duhet liberalizuar tregu i energjisë, ku të ketë një menaxhim të rregullt financiar, pa patronazhim politik dhe më pas të kalohet në tarifimin në fjalë.
“Për sa kohë tregu publik i energjisë mbahet në kushte, që tarifat nuk përballojnë kostot, reforma e parë lidhur me progresivitetin duhet të adresohet pikërisht në lidhje me reformën e tarifave, që përbën bazën e efikasitetit të sektorit”, – shprehet ai.
Qeveria synon që gjatë muajve të verës të përmbyllë studimin për përcaktimin e limitit të poshtëm të energjisë me çmim të parritur. Të ardhurat e krijuara nga kjo skemë, që do të futen në arkën e OSSH-së, do të përdoren për të blerë energji elektrike gjatë muajve të vjeshtës me qëllim ruajtjen e kaskadës së Drinit në kuota të pranueshme.
Zgjidhja, e vështirë
Në shtator të këtij viti pritet të vihet në punë centrali lundrues, i marrë me qira nga shteti shqiptar. Ai do të fillojë të prodhojë energji për llogari të KESH-it, duke injektuar në sistem 100 MW/h.
INA MEDIA mëson se 1 MW/h i prodhuar nga kjo njësi e lëvizshme do t’i kushtojë shtetit shqiptar rreth 160-170 euro në varësi edhe të çmimit të karburanteve. Një çmim i favorshëm, nëse marrim në konsideratë faktin që aktualisht çmimet variojnë deri në 390 euro/MW/h.
Eduart Gjokutaj, njohës i mirë i këtij sektori, njëkohësisht ekspert pranë ALTAX, një qendër kërkimore dhe informuese, mendon se ky kurth, ku ranë përgjatë vitit të kaluar autoritetet shqiptare, ka shërbyer për të nxjerrë mësimet e duhura.
“Pas krizës energjetike ka ndoshta një ndërgjegjësim më të madh nga drejtuesit e KESH. sh. a., por mbi të gjitha nga MIE dhe Bordi Mbikëqyrës, për të mundësuar menaxhimin efektiv të rezervave ujore, si dhe mundësimin e vënies në punë të burimeve në varësi për zbatimin e gjithë dokumenteve, duke bërë edhe përditësim të tyre sipas situatës”, – shprehet ai.
Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat aktuale nga Fierza, të cilat dëshmojnë se autoritetet shqiptare po tregohen më të kujdesshme. Prodhimi nga HEC-i Fierzës përgjatë pesë muajve të parë të këtij viti është mbajtur në minimumet e tij, ndjeshëm nën nivelin mesatar historik me qëllim mbushjen e kaskadës.
Pavarësisht kësaj, situata mbetet ende sfiduese, pasi Fierza në fund të qershorit ishte nën nivelin mesatar historik. Mesatarja e 15 viteve të fundit për qershorin është 292 metra, ndërkohë që Fierza e mbylli gjysmën e parë të vitit në nivelin 289 metra.
Ekspertët vlerësojnë se mbështetja e prodhimit të energjisë elektrike vetëm te burimet hidrike e bën vendin të varur nga importet, si edhe joefektiv në menaxhimin e burimeve.
Krahasimi i prodhimit të energjisë elektrike në vitin 2021 në Shqipëri me mesataren mes viteve 2009-2021 (në MW/h)
Burimi: KESH sh. a. Përpunimi grafik: INA MEDIA
“Konsumi total për energji elektrike në vitin 2021 ishte gati-gati në të njëjtin nivel me prodhimin, por shpërndarja e prodhimit në periudhat e vitit nuk përputhet me konsumin, sepse në periudhën e thatë prodhimi është dukshëm më i vogël sesa konsumi dhe kjo është pasojë e profilit të burimeve”, – tha për INA MEDIA-n Pajtim Bello, ish-ministër i Energjisë.
Kërkesa e lartë për energji elektrike ka rritur në nivel rekordi historik çmimin e saj në treg, ndikuar kjo edhe nga situata e paqartë e luftës në Ukrainë dhe rihapja e ekonomisë pas Covid-it.
Godina e KESH sh. a.
Të dhënat nga bursa hungareze, së cilës i referohet edhe Shqipëria, kur futet në treg, tregojnë se 1 MW/h energji elektrike u ble gjatë fillimit të korrikut deri në 380-390 euro në momentet e pikut. KESH sh. a., sqaron për INA MEDIA-n, se energjia elektrike, e kontraktuar për periudhën 4-10 korrik, ka patur një çmim mesatar, të ponderuar 333.42 euro/MW/h.
Një situatë e tillë e ekspozon ndjeshëm vendin ndaj mungesës së energjisë elektrike, teksa situata në HEC-e nuk është dhe aq e favorshme. Vetë KESH sh. a., zotohet se do të mundësojë furnizimin e sistemit energjetik vendas me 55% të nevojave, ndërsa 45% do të mundësohen nga importi.
Fatura e kripur e humbjeve në rrjet
Humbjet në rrjet vazhdojnë të gllabërojnë miliona euro çdo vit. Vetëm gjatë vitit të shkuar, Shqipërisë i është dashur të shpenzojë 300 milionë euro për të blerë apo për të prodhuar energji elektrike për të mbuluar humbjet.
Pavarësisht kësaj panorame të zymtë, vetë institucionet janë optimiste. Në një prononcim për INA MEDIA-n, drejtori i Departamentit të Matjes, Bilancit dhe Suportit të Tregut, pranë OSSH-së, Ermal Murati, tha se humbjet zbritën në 22.88% gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, me një rënie të ndjeshme gjatë prillit dhe majit.
“Shifrat janë pozitive, por ende larg asaj ku duam të arrijmë, ndaj kërkohet punë e vazhdueshme me strukturat në rajone dhe bashkëpunim me organet e drejtësisë, jo vetëm për identifikimin e abuzuesve të energjisë elektrike, por edhe për parandalimin e fenomenit”, – thotë Murati.
Humbjet e energjisë nuk janë vetëm për shkak të vjedhjes, por edhe si pasojë e rrjetit të amortizuar, i cili ka 40-50 vite që funksionon dhe që kërkon investime të mëdha për t’u përmirësuar. Por, krejt ndryshe mendon ish-kreu i OST-së, Klodian Gradeci, i cili shprehet se humbjet e energjisë janë më të mëdha, nga sa pranohet zyrtarisht.
“Humbjet në rrjetin e shpërndarjes për vitin 2021 kanë qenë 1.557.000 MW/h dhe, nëse niveli arkëtimeve sipas ERE-s është 97.4%, atëherë pjesa që nuk arkëtohet është përafërsisht 23% e energjisë që OSHEE injekton në rrjet”, – sqaron ai.
Ish-drejtori i OST-së, Klodian Gradeci
Sipas tij, OSHEE ka 1.280.000 klientë, nga të cilët rreth 280.000 kanë 0 kilovat konsum. Pjesa konsumatore, familjare është 50% e energjisë së furnizuar nga OSHEE, konsumatori privat zë 37% dhe pjesa e mbetur është buxhetore dhe jo-buxhetore.
“Konsumi i klientëve familjarë, që mbulon edhe zërin me konsumin më të lartë në hierarkinë konsumatore, është 36% e konsumit total në vend dhe ka një rënie prej 2.5% nga viti i kaluar. Kjo ulje e numrit të konsumatorëve familjarë nuk reflektohet në uljen e nivelit të humbjeve të OSHEE-së”, – thekson ai, duke këmbëngulur se argumenti i rrjetit të amortizuar, që shkakton humbje, nuk është gjithnjë bindës.
Shembull, sipas tij, janë bashkitë Himarë dhe Selenicë në Vlorë, të dyja me rrjet të ri. Himara shënon një nivel humbjesh 9.2%, kurse Selenica, 54.1%.
“Kemi të bëjmë me një rajon të tërë, si ai i Vlorës, që ka përfituar shumë nga investimet e zhvillimit të rrjetit të transmetimit dhe të atij të shpërndarjes dhe argumenti i humbjeve teknike për shkak të amortizimit të rrjetit nuk është bindës”, – përfundon ai.
Eduart Elezi hedh akuza të forta në këtë drejtim, duke iu kërkuar organeve ligjzbatuese që të hetojnë në lidhje me kostot e mëdha të investimeve të bëra për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
“Ne kemi tarifa dy-trefish më të larta për investimet që bëhen për një 1 km linjë apo transformator krahasuar me tregjet e huaja. Organet hetimore duhet të bëjnë verifikimet përkatëse. Humbjet nuk janë, sa deklarohen, por shumë më të larta”, – këmbëngul Elezi. /Investigative Network Albania