Zgjedhjet pas skandalit “Gjici”, Senja: Njerëzit po ftohen të zgjedhin mes bukës dhe moralit, dhe në kushte urie zgjedhja dihet

Gazetari dhe kryeredaktori i Albeu.com, Emirjon Senja i ftuar në emisionin “Drejt” për gazetarin Luan Rama në “Ora News”, në replikë me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata, u shpreh se në zgjedhjet e parakohshme në Kukës qytetarët do zgjedhin mes Ramës dhe Berishës.

“Mosmarrja pjesë në zgjedhje nga Basha ishte një mesazh për t’i thënë që të mos kenë mundësi të ankohen.

Të mos e mohojmë faktin zgjedhjet në Kukës sot janë të ndikuara jo pak nga rezultati i 14 majit. Në këto zgjedhje marrin pjesë më pak votues, dhe kjo do të ndikojë me patjetër.

Po ashtu një pjesë e mirë e tyre kanë ikur me punë jashtë shtetit, kështu që ne nuk mund të themi që Kukësi mund të konsiderohet një zonë e djathtë, sepse në një farë mënyre kanë ikur njerëzit që nuk kanë pasur ndonjë lloj page, që normalisht e kanë të majtët se janë në pushtet.

Dhe të mos harrojmë se punëdhënësi më i madh në bashkitë e vogla është shteti, dhe kjo duhet marrë parasysh.

Pra njerëzit pas skandalit Gjici, njerëzit atje ftohen të zgjedhin mes bukës dhe moralit, dhe në kushte urie zgjedhja dihet”, theksoi Senja./oranews


Shtuar 21.09.2023 22:15