Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish nga burgu, në kuadër të arritjes së marrëveshjes së koalicionit mes PD-së.
Reagimin e tij ai e ka bërë në rrjete sociale, ndërsa shpreh falenderimet për kryesinë e PL-së dhe u bën thirrje emigrantëve të diasporës që të regjistrohen pasi afati është duke mbaruar.
Ndër të tjera, Meta shkruan se bashkimi i koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore do sjellë ndryshime.
Postimi i tij:
Falenderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që miratoi sonte me unanimitet marrëveshjen për hyrjen në koalicionin opozitar gjithëpërfshirës “Partia Demokrarike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Në funksion të Fitores dhe Ndryshimit të shumëpritur më 11 Maj, çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, brenda por edhe jashtë vendit, do të japë kontributin e tij maksimal për shkuljen nga themelet të Narkoshtetit të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë.
U bëj thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë në diasporë, që në këto orë të mbetura të regjistrohen për të votuar më 11 Maj për të ndëshkuar sektin që dëboi mbi 1 milion shqiptarë në emigrim dhe që nga paniku po tenton çdo manovër për të penguar votën e tyre.
Vota masive e shqiptarëve për koalicionin gjithëpërfshirës opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të sjellë Ndryshimin. FITORE!