Një vogëlush 5-vjeçar ka ndërruar jetë në mënyrën më tragjike në Gateshead të Britanisë së Madhe, pasi në tentativën për të bërë për të qeshur nënën dhe babain e tij është asfiksuar teksa kishte futur kokën në një tollumbac në formë dinosauri.
Duke u përpjekur të dukej si ata dinosaurët, pas të cilëve ishte i fiksuar, Karlton Noah Donaghy 5-vjeçar si të gjithë fëmijët e moshës së tij nisi lojën që rezultoi më pas fatale.
“Ai më kërkoi të shkonte në tualet. Ai u fut në shtëpi, ndërsa ne ishim në kopsht për të marrë pak rreze dielli. Nuk e pashë të kthehej dhe hyra edhe unë në shtëpi. Por i vogli im ishte në tokë, me atë tullumbace të mallkuar të fryrë në formë dinosauri, të mbërthyer në kokën e tij, deri në qafë. Ai nuk merrte frymë. E hoqa menjëherë, por e pashë që ishte asfiksuar”, rrëfen nëna e tij Lisa Donaghey.
Fëmija ishte në koma për gjashtë ditë.
Familja, në fakt, menjëherë thirri një ambulancë, por duke pasur parasysh peshën e rastit, u vendos që fëmija të transportohej me helikopter shpëtimi në infermierinë Royal Victoria, ku ai u shtrua për gati një javë në njësinë e kujdesit intensiv.
Fatkeqësisht për të, megjithatë, nuk kishte asgjë për të bërë dhe më 29 qershor u vendos që të shkëputeshin pajisjet që e mbanin në jetë.
Nëna, e tronditur përgjithmonë nga vdekja e djalit të saj më të vogël, paralajmëroi në Facebook për dëmin që mund të shkaktojë thithja e vazhdueshme e heliumit: “Kujdes, është shumë e rrezikshme. Dua që prindërit, gjyshërit, asistentët e kujdesit për fëmijët, studentët të jenë të kujdesshëm në mënyrën se si e përdorin atë”./albeu.com