I vendosi tritoli biznesit që po ndërtohej në Shëngjin, arrestohet 21 vjeçari

Policia ka vënë në pranga 2 shtetas të akuzuar për vendosjen e një sasie eksplozivi në një ndërtesë. Ka shkuar në 2 numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit “Eksplozivi” në Lezhë.

Në pranga është vënë Angli Stafuka, i cili akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.

Ndërkohë më parë është vënë në pranga autori tjetër i dyshuar për vendosjen e një sasie eksplozivi në një objekt në ndërtim në nëntor të vitit të kaluar.

“Si rezultat i provave të grumbulluara, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. S., 21 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. P. (i ndaluar gjatë operacionit “Eksplozivi”, në dhjetor 2020), më datë 19.11.2020, në Shëngjin, Lezhë, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit L. Gj., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale”, thotë policia.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”. /albeu.com

 


Shtuar 30.06.2021 09:31