Taulant Balliu, i njohur si “Cikja”, krahu i djathtë i kokës së grupit kriminal të ngritur në vitin 1997 në qytetin e Elbasanit, kërkon lirinë nga burgu.
Kërkesa për lirim është bërë me arsyetimin se nëna e tij jeton e vetme, pasi i vëllai ka ndërruar jetë. Ai është dënuar më burgim të përhetshëm, ndërsa deri më tani ka kryer 25 vite burg.
Si ndodhi ngjarja
Në maj ’97, në brendësi të lagjes “Partizani” do të ekzekutohej P.S., banor i kësaj lagjeje. Krimi do të kryhej për arsye banale, për shkak të vendosjes së pengesave nga viktima për të mos u futur të tjerë në bllokun e tij. Fill pas këtij ekzekutimi do të fillonte kalvari i vrasjeve të tjera. Konflikti i ndezur me vrasjen e P.S. do të linte gjurmë tek banorët, në veçanti te grupet e armatosura, që mbanin veten dhe familjen, që kuptonin se ndoshta veprimet e kësaj bande mund të godisnin pabesisht. Nga ana tjetër, grupi i Kateshit me pushtetin e të fortit, më 21.06.1997 do të lëshonte një breshëri të zgjatur automatiku duke lënë të vdekur E. Derajn dhe G. Myftarin.
Dy viktimat ishin lidhje shoqërore të P.Sericës, dhe shkuan për të ngushëlluar pjesëtarët e familjes, por do të tmerroheshin kur e panë veten para grykave të armëve të drejtuara kundër tyre. Qëllimi i këtij grupi kriminal ishte të siguronte të ardhura nëpërmjet vrasjeve rivale, vjedhjeve me dhunë, vendosjes së gjobave, ku nëpërmjet kërcënimeve i detyronin të paguanin gjobën e vendosur. Shumica e viktimave të Kateshit ishin rivalë të detyruar për mbrojtje, disa prej tyre tërësisht të pafajshëm, kalimtarë të rastit, që edhe për karshillëk kriminal goditeshin pa shkak.
Edhe për persona të tjerë që dyshonin për një rrezik të mundshëm veprohej pa hezitim. Kishte dhe pjesëtarë të bandës, që për makutëri do të tentonin vjedhje apo grabitje banesash. Në muajin korrik ’97 merret peng N. M., i cili torturohet mizorisht dhe kërkohen me këmbëngulje 100 milionë për lirimin e tij, në të kundërt do të ekzekutohej. Pas torturimit disaditor pjesëtarët e familjes do të kërkonin borxhe tek të afërmit, megjithëse nuk u arrit dot shuma e kërkuar. Banditët të egërsuar për shumën e munguar do të vazhdonin torturat, por detyrohen të pranojnë pazarin e ofruar për lirimin e pengut: 3,5 milionë dhrahmi. Pas disa ditësh kriminelët do të rrëmbenin nipin e një tregtari të qytetit dhe pas një pazari të shpejtë do të merrnin 20 mijë $ dhe me makinën e tyre do ta kthenin në shtëpi.
Më 29.07.97 do merreshin peng A. B. dhe F. S., të cilët pasi janë torturuar, u ekzekutuan në buzë të lumit Shkumbin, duke i qëlluar me 40 predha automatiku. Pas ekzekutimit i kanë varrosur duke i mbuluar me gurë zalli. Ritualin e peng-marrjeve do ta vazhdonin me G. G. me lidhje refugjatësh jashtë shtetit dhe pasi morën gjobën e vendosur prej 5 milionësh do ta linin të lirë. Duke studiuar njerëzit që kishin para, vendosën të ktheheshin tek një tregtar elbasanas që nuk i kishte paguar, me gjithë kërcënimet e dërguara në emër të Gjeneralit. I tërbuar nga refuzimi, që për të përbënte një fyerje përpara pjesëtarëve të bandës, më 14.08.97, në orën 17.00 banda e ndarë në disa grupe do të afrohej tek vila e Bellajve duke qëlluar me të gjitha armët që dispononin.
Nga ana tjetër, burrat e familjes të armatosur më së miri do t’i përgjigjeshin nga të gjitha anët e shtëpisë. Beteja e tmerrshme për këtë qytet historikisht të qetë do të vazhdonte gjithë natën deri në të gdhirë. Beteja, veçanërisht për gratë dhe fëmijët e kësaj familjeje do të ishte torturuese, teksa numri i pjesëtarëve të bandës prej 15 vetë, përveç armëve të lehta do të përdorte edhe kundërtankun. Zbardhja e ditës do të nxirrte në shesh pasojat: 5 të vrarë dhe 4 të plagosur, ndër ta edhe Tan Kateshi. Në këto kushte, tërhiqen nga luftimet për t’i dhënë ndihmën e nevojshme Kryetarit të tyre. Banda mori emrin e kryetarit të saj, Dritan Kateshit. Banda e filloi aktivitetin e vet në maj të 1997. Banda e Kateshit aktivitetin e saj kryesor e ka nisur me grabitje në akset rrugore, vendosje gjobash, vjedhje me dhunë të makinave etj. Të trimëruar me armët në krah dhe numrin e madh të pjesëtarëve të grupit shumë shpejt do të nisnin edhe me krimin e vrasjes.