I arratisur nga burgu i Kosovës, vihet në pranga 20-vjeçari me 3 urdhëra ndalimi (VIDEO)

Është arrestuar në Durrës një 20-vjeçar i shpallur në kërkim në Kosovë për vepra të rënda penale si grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzor,  i arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, në tetor 2020.

Operacioni u ndërmor nga DVP Durrës, Interpol Tirana dhe FAST Albania, në bashkëpunim me ILECU Kosovë.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasit Riad Sopjani, 20 vjeç, banues në Prishtinë, i dënuar më parë në Kosovë, për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku ai strehohej në Durrës, gjetën dhe sekuestruan  në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ILECU Kosovë, pasi është i kërkuar në nivel vendor në Kosovë dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ky shtetas është arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, në tetor 2020.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës u bë arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimin në shtetin e Kosovës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.

 


Shtuar 2.11.2021 10:49