Hotel dhe makinë luksoze, në Kosovë zbulojnë kontratën e Klodian Duros

Feronikeli i drejtuar nga Klodian Duro nuk po tregon një formë të mirë së fundmi, teksa nuk kanë munguar edhe kritikat në drejtim të trajnerit.

Megjithatë trajneri elbasanas ende nuk e mendon largimin dhe momentalisht nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, për shkak se ka besim te skuadra e tij.

Në Kosovë kanë zbuluar kontratën e trajnerit me Feronikelin dhe këtyre të fundit do i kushtonte shumë një shkarkim i Duros. Sipas “Gazeta Sheshi”, Duro përfiton 4 mijë euro në muaj dhe ka kontratë edhe për një vit e gjysmë. Në rast shkarkimi, atëherë kjo Feronikelit do i kushtonte 72 mijë euro dhe për këtë arsye drejtuesit kanë vendosur t’i japin besimin deri në fund të sezonit trajnerit.

Gjithashtu mësohet se përveç kontratës, Duro gjithashtu ka edhe një makinë luksoze, e cila paguhet nga klubi, ndërkohë që është i akomoduar në një prej hoteleve më të mira të qytetit. Feronikeli renditet në vendin e 6-të me 35 pikë, teksa në 5 ndeshjet e fundit kanë regjistruar 3 humbje, 1 barazim dhe 1 fitore.


Shtuar 30.04.2021 17:18