Holanda në kolaps, dërgon të infektuarit me Covid në Gjermani

Holanda po dërgon pacientët e saj të infektuar me Covid në Gjermani, pas ezaurimit të kapaciteteve ën disa zona atje.

Terapia intensive atje është në krizë prej tejmbushjes së vendeve, gjë që ka bërë edhe kalimin e disa pacientëve drejt Gjermanisë fqinje.

Kjo situatë ka bërë që të rritet numri i të vdekurve, pavarësisht se mbi 70% e të popullsisë është plotësisht e vaksinuar. Këtë 24 orësh, infektimet shënuan shifrën e dytë më të lartë për gjithë periudhën e pandemisë.

Drejt ezaurimit kapacitetet në terapinë intensive janë edhe në Gjermani, ku këtë të Mërkurë u shënua një rekord i ri negativ infektimesh me gati 67 mijë raste, mbi 1 mijë më shumë se rekordi i 18 Nëntorit. Edhe numri i viktimave po rritet.

E njëjta situatë është edhe në Austri, ku pavarësisht karantinës së plotë prej të Hënës, apo masës së izolimit në shtëpi të të pavaksinuarve, infektimet ditore vazhdojnë të rriten deri në rekordin e ri negativ të të gjithë periudhës së pandemisë, që u regjistrua këtë të Mërkure me gati 15 400 raste.

Infektimet prekën shifrën më të lartë që prej ditëve të fundit të Prillit me mbi 30 400 raste të reja. Në Greqi autoritetet njoftuan më tepër se dyfishimin e shtretërve në terapinë intensive, ndërsa thanë se pandemia tashmë rëndon mbi shpatullat e të pavaksinuarve./albeu.com/

 


Shtuar 24.11.2021 14:21