Heqja e pasaportave diplomatik për “kuqezinjtë”, Meta: Vendim absurd

Presidenti Meta ka reaguar për vendimin e fundit të Qeverisë për ndërperjen e vlefshmërisë së pasaportave diplomatike për Kombëtaren e futbollit.

Kërkesa e fundit e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të dorëzuar dokumentin brenda datës 1 qershor 2021 e ka kapur në befasi edhe presidentin shqiptar.

 

 

Përmes rrjeteve sociale, Meta thotë se ky vendim është i pabesë dhe se është absurde të pengohen kuqezinjtë, ata që dërguan Shqipërinë në Europë.

“Vendimi i pabesë për ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit është i paprecedent dhe një hakmarrje primitive, për shkak të qëndrimeve kritike të disa futbollistëve për sportin. Është absurde të pengohen të mbajnë pasaportë, kuqezinjtë, që e futën Shqipërinë në Europë dhe na bënë të gjithëve krenarë, ndërkohë që vazhdojnë ta mbajnë atë faqezinjtë, që na lanë jashtë Europës dhe që po na turpërojnë.  Jam i bindur se më 25 prill 2021, do të përfundojë koha e vendimeve autoritare, arrogante dhe përjashtuese. Ky vendim i Qeverisë ende në detyrë do të përmbyset dhe nderimi për kuqezinjtë, që na çuan në Europë do të mbetet i pacenuar”, ka shkruar Meta.

Kujtojmë që për këtë situatë ka reaguar edhe ish-trajneri, De Biasi.

“Më duket absurde. Pasaporta ime diplomatike skadon në vitin 2026, pse duhet ta dorëzoj 5 vite më parë?”, ka thënë ish-trajneri De Biazi./


Shtuar 6.04.2021 12:04