Sot shënohet 24-vjetori i masakrës së Reçakut, ku u vranë 45 civilë shqiptarë. Homazhe atje ka bërë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili shprehu mirënjohjen për ambasadorin Wlliam Walker “që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit”.
Ai tha se masakra e Reçakut është dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që sipas tij, nuk duhet harruar dhe as mohuar.
“Përulemi e nderojmë të rënët për liri në të gjithë vendin e veçanërisht viktimat e Masakrës së Reçakut, civilët e masakruar në zemër të Evropës, masakër kjo që shokoi dhe vuri në lëvizje gjithë botën demokratike që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë. Kjo masakër mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar. Mirënjohës përjetë Ambasadorit amerikan William Walker që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit. Lavdi të rënëve për lirinë e Atdheut!”, ka shkruar ai./Express/