Greqia në “luftë” të vështirë me pandeminë, nis vala e tretë

Autoritetet greke paralajmëruan sot ndaj situatës serioze epidemiologjike të pandemisë së COVID-19, që tani ka karakteristikat e valës së tretë, me numrin e infektimeve që është rritur veçanërisht në Athinë dhe në qytetet e tjera të mëdha të vendit.

“Situata epidemiologjike është serioze në Greqi, me një ngarkesë të lartë epidemiologjike që vjen kryesisht nga varianti britanik, më ngjitës, që po rëndon sistemin shëndetësor”, tha epidemiologia Vana Papaevaguelou, gjatë konferencës për shtyp të shërbimeve shëndetësore.

“Ne po përballimi me karakteristikat e valës së tretë të pandemisë, që është më e ngadaltë dhe varet nga sjellja e qytetarëve, domethënë me respektimin e masave të kontrollit”, paralajmëroi nga ana e tij epidemiologu Guikas Magiorkinis.

Sipas epidemiologëve, indeksi i pozitivitetit ishte 4,5 dhe më të prekurit janë personat midis 40- 68 vjeç, të ndjekur nga ata midis 18-39 vjeç.

Për shkak të rritjes së indeksit të infektimit, qeveria ka vendosur zgjatjen e masave aktuale të bllokimit deri më 22 mars në rajonet e Atikës dhe Selanikut, së bashku me disa rajone të tjera në të gjithë vendin.

Rajonet e Chalkidiki, Evritania dhe Lesvos, si edhe komunat e Janinës dhe Metsovo, Katerini, Chania dhe Skiathos do të hyjnë në gjendje gatishmërie të lartë që nga ora 18:00 të shtunën deri më 22 mars./atsh/

Shtuar 13.03.2021 10:03

Tags: ,