Gjykata e Lartë refuzon pezullimin e dënimit për Salianjin, PD: Ridënim politik dhe përndjekje e opozitës

Vjen reagimi nga Partia Demokratike pasi Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e ish deputetit demokrat Ervin Salianji për pezullimin e dënimit me burg.

Sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso në një deklaratë për mediat e quajti vendimin e Gjykatës së Lartë si një ridënim për Saliajnin.

Ndër të tjera Kaso tha se “Mbajtja në burg e nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat është një medalje për të dhe opozitarët, dhe një njollë turpi për qeverinë dhe gjykatat e saj, të cilat e kanë kthyer përndjekjen e eksponentëve të opozitës në gjueti shtrigash.”

“Partia Demokratike e konsideron si ridënim të deputetit demokrat Ervin Salianji vendimin e Gjykatës së Lartë të marrë sot me presion.

Kundër një vendimi të paligjshëm dhe politikisht të motivuar, trupa e Gjykatës së Lartë, as u ngrit në lartësinë e detyrës dhe as nuk i shërbeu balancave ndërmjet pushteteve. Mbajtja në burg e nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat është një medalje për të dhe opozitarët, dhe një njollë turpi për qeverinë dhe gjykatat e saj, të cilat e kanë kthyer përndjekjen e eksponentëve të opozitës në gjueti shtrigash.

Partia Demokratike shpreh edhe njëhere mbështetjen për deputetin e saj dhe pë cdo zë opozitar që ngrihet kundër regjimit.
PD thekson se nuk ka paqe pa lirimin e të gjithë opozitarëve të mbajtur padrejtësisht në izolim ose në qeli.”, tha Kaso.


Shtuar 15.10.2024 17:44