Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka konfiskuar pasuritë e deputetit të Partisë Demokratike, Kasëm Mahmutaj, që iu bashkua Kuvendit të mbajtuar më 30 prill nga ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky vendim ka ardhur pas një hetimi të kryer nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbi pasuritë e vëllait të deputetit, Gazment Mahmutaj, i dënuar gjatë vitit 1993 për akuzën e shfrytëzimit të prostitucioni në Itali dhe ish-subjekt i operacionit Forca e Ligjit.
Për pasojë 22 pasuri të tre vëllezërve Mahmutaj, mes te cilave ndodhen edhe të deputetit të PD-së, janë sekuestruar.
Në vendimin e shpallur nga gjyqtarja Etleva Deda, bëhet me dije se deputetit Mahmutaj i janë sekuestruar dy apartamente, dy sipërfaqe trualli dhe një automjet që nuk i justifikonte me të ardhurat e tij.
Ndonëse ishin deklaruar si të ardhura nga emigracioni, gjykata vlerësoi se pasuritë e Beharit, Kasemit dhe Gazmend Mahmutaj nuk justifikohen dhe ka dyshime që burojnë nga krimi, për sa kohë një prej vëllezërve rezulton të jetë i dënuar.
Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi formularin për deklarimin mbi burimin e të ardhurave Mahmutajt më 18 shkurt të vitit 2020 ku evidentuan rreth 1500 pasuri të dyshimta nga të cilat 523 u sekuestruan me vendim gjykate.
Gazmend Mahmutaj me emrin e ndryshuar në Eduart Toska rezulton të jetë shpallur fajtor nga gjykata e Veronës në nëntor të vitit 1993, ku është dënuar me 25 vite burg për për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni në Itali.
Ndërkohë që në 2020-n pasuritë e të dënuarit dhe familjarëve të tij u vendosën në lupën e OFL-së e më pas nën hetim nga SPAK. Deputetit dhe dy vëllezërve të tij u është lënë pa konfiskuar vetëm një banesë për motive sociale dhe strehimi./albeu.com